Kronologjia e pazareve në UP
24 qershor 2022
Pas fitores së organizatave studentore Reforma dhe Studim, Kritikë, Veprim!, filluan pazaret për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues nga radhët e Senatit të Universitetit të Prishtinës. Këto pazare sollën në anëtarët më të votuar nga Senati, plagjiatori Selim Bezeraj, dhe infamozi Rifat Krasniqi.
29 qershor 2022
Pas denoncimit publik të ORCA-s për plagjiaturën e Selim Bezerajt, Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci organizoi konferencë për shtyp, ku ndër të tjera tha “Nuk u përfill as veprimtaria akademike, reputacioni, por vetëm interesat personale dhe interesa e grupeve të ngushta për të vënë në kontroll organin më të lartë në Universitet”.
30 qershor 2022
Më 30 qershor 2022 mbahet mbledhja e XX-të e Këshillit Drejtues, ku zëvendës kryesuesi i Këshillit Drejtues (i emëruar nga Ministria e Arsimit) Altin Sahiti lexon një email të dërguar nga Ministrja e Arsimit, ku kërkohet që Këshilli Drejtues t’i trajtojë pretendimet për plagjiaturë brenda Këshillit Drejtues.
5 gusht 2022
Në këtë ditë Ministrja e Arsimit shkruan se ka pranuar lajmet për verifikimin e plagjiaturave në Universitet të Prishtinës dhe se “Si Ministre e Arsimit do t’i drejtohem Këshillit Drejtues të UP-së me kërkesë që të gjitha organet e universitetit t’i trajtojnë me seriozitet këto dhe rastet e ngjajshme”. Në këtë status Facebook-u, Ministrja po ashtu premton që do themelojë një Komitet Etik Qendror dhe do inicojë veting për stafin akademik.
15 gusht 2022
Në këtë ditë Ministrja e Arsimit shkruan në Facebook që “stafi akademik duhet të jenë persona me integritet e kredibilitet të lartë profesional e personal…plagjiatura konsiderohet si formë e rëndë e shkeljes së etikës akademike”, dhe që për këtë ka nënshkruar një vendim “për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të IAL”. Ky verifikim do bëhet përmes procesit të akreditimit.
20 tetor 2022
Më 20 tetor 2022, pas gati katër muajsh pritje për adresim të plagjiaturës nga ana e Ministrisë ose Këshillit Drejtues, Rektori i Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti, denoncon profesor Selim Bezerajn për plagjiaturë në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës.
21 tetor 2022
Më 21 tetor 2022, Këshilli Drejtues shkarkon rektorin e Universitetit të Prishtinës me 8 vota për dhe 1 abstenim, për performancë të dobët me arsyetime të paqëndrueshme.
21 tetor 2022
Në të njëjtën ditë, tashmë-kryesuesi i KD, Altin Sahiti thotë në konferencë për shtyp që nuk ka thënë ndonjëherë që Këshilli Drejtues do adresojë plagjiaturën në Universitetin e Prishtinës.
21 tetor 2022
Më 21 tetor 2022, ORCA reagon ndaj shkarkimit të rektorit duke cilësuar që anëtarët e Këshillit Drejtues kanë bërë pakt me djallin (infamozët dhe plagjiatorët) për ta shkarkuar rektorin.
25 tetor 2022
Më 25 tetor 2022 ORCA organizoi një aksion simbolik duke denoncuar rrenen e Kryesuesit të Këshillit Drejtues i cili ka mohuar që ka thënë ndonjëherë që KD do adresojë plagjiaturat në universitet. ORCA po ashtu është në pritje të përmbushjes së premtimeve të Ministrisë së Arsimit për adresimin e plagjiaturës në nivel vendi.