Ma poshtë s’ka ku shkon kolegë!
Bashkë me gjethet e kësaj vjeshte, ra edhe ajo pak shpresë për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë.
Agjencia e Kosovës për Akreditim(AKA), nuk është më pjesë e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe kjo si pasojë e ndërhyrjeve apo presionit politik e biznesor, ndaj këtij institucioni të pavarur. Për të njëtat arsye, vitin e kalum u përjashtum edhe nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Në letrën ku u kumtua vendimi i ENQA’s, u tha se AKA s’i përmbushë standardet dhe rregullat evropiane, duke i listu edhe disa prej mangësive kryesore në udhëheqjen e saj.
Ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj a.k.a Rambo, iu pat tekë me shkarku Këshillin Shtetëror të Cilësisë(KShC), menjëherë pasi e mori pushtetin në shtator të 2017’ës.
Pas këtij shkarkimi, ENQA vendosi që Agjencia e Kosovës për Akreditim, mundet me dëgju muhabetin e agjencive tjera, por pa të drejtën e fjalës, bash si nëpër odat e Dukagjinit (ku edhe duket se e kishte mësu qeverisjen Rambo) në të cilat i ndalohet fjala t’riut, e guxojnë të flasin vetëm të vjetrit.
Njërit prej vendeve evropiane me numrin ma të naltë të të diplomuarve të papunë, ENQA e kritikoi për mungesë të punëtorëve, duke thënë se AKA nuk arriti t’i punësojë zyrtarët e nevojshëm për me kry punë.
Me qenë pjesë e këtij asociacioni, për shumë studentë kosovarë nënkuptonte biletë për nji t’ardhme ma t’mirë, përmes së cilës u mundësohej me marrë ma lehtë bursa e m’i vazhdu studimet në universitete të cilat tash mundemi veç me i andrru.
Presioni që iu ba qeverisë Haradinaj, pas shkarkimit të KShC’së dhe pasojave që erdhën me atë vendim, çuditërisht rezultoi me zgjedhjen e anëtarëve të ri të këtij këshilli, përmes një procesi transparent.
Këta anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, nisën m’i grah punës sipas ligjit e detyrave që i kanë marrë. T’punumit drejtë të këtyne anëtarëve, rezultoi me heqjen e akreditimit të dhjetëra programeve studimore, e qe besa edhe tërheqjen e akreditimit të tri universiteteve publike, e gjashtë kolegjeve private.
Ani pse anëtarët e rinj u zgjodhën përmes votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Rambo nisi m’i akuzu anëtarët që i pati zgjedhë Kuvendi i Qeverisë të cilën ai e udhëhiqte. Ama diqysh u dashke m’i mbrojtë krijimet e partnerit të koalicionit(PDK), që edhe ia kishte siguru karrigën në qeveri, se fundja parja e partia po kanë rëndsi.
Ish-kryetari i PDK’së dhe ish-kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, i kishte themelu gjashtë universitete publike, si nevojë e fushatës dhe biletë për pushtet. (Ilustrim: Thaci nxjerrë universitete prej kapelës)
Pas luftës së fundit, Kosova e ka pasë vetëm nji universitet publik, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në vitin 2009, Thaçi e kishte themelu Universitetin ‘’Ukshin Hoti’’ në Prizren, kah fundi i 2011’ës, kishte marrë vendim për themelimin e universitetit të tretë publik, atij “Haxhi Zeka” në Pejë, vendime këto të cilat i ndihmun për me marrë mandatin e dytë si kryeminstër i vendit.
Dy vite më vonë, u miratu edhe themelimi i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Universitetit ‘‘Kadri Zeka’’ në Gjilan dhe Universitetit ‘‘Fehmi Agani’’ në Gjakovë.
Veç edhe dy vjet tjera, iu deshën asaj partie, kryeministri e qeverie, që me themelu edhe Universitetin e shtatë publik, atë të Ferizajt.
Pavarësisht këtyre ‘investimeve’ në arsim, edhe numrit 7, i cili n’shumë kultura t’botës njihet si numër i fatit, universitetet e fushatës s’arritën m’i bind ekspertët ndërkombëtar se kanë cilësi.
Përveç për universitetet publike, dhimta e Rambos ishte edhe tek mosakreditimi i gjashtë institucioneve private të arsimit të lartë, e që natyrisht nënkuptonte humbje e miliona eurove, prej të cilave politikanët s’është bash që s’fitojnë.
Përpjekja e tij, për m’i shku fjala si herën e parë kur e shkarkoi krejt bordin e KShC’së, shtyu ambasadat e Amerikës, Evropës dhe Britanisë së Madhe me iu kundërvy ndërhymjes së dytë të tij, në pavarësinë e këtij Këshilli.
E gjithë kjo zhurmë, mbërriu edhe tek veshi i bordit të ENQA’s, të cilët vendosën që Agjencisë së Kosovës për Akreditim, mos me ia vazhdu anëtarësinë, as si anëtarë në vëzhgim. ENQA listoi edhe një varg mangësish ku çalon AKA.
Kësaj agjencie, sipas ENQA’s, i lejohet riaplikimi për anëtarësi në të ardhmen, mirëpo kjo mundet me u ba, vetëm pas dy vitesh, edhe atë, duke ia ngrehë veshin AKA-së për m’u përmirësu ama përmirësim serioz.
Studentët që kanë me diplomu tash e tutje, nëse dojnë m’i vazhdu studimet jashtë vendit, kanë me has në vështirësi për me iu njoftë diploma e cilitdo nivel të studimeve, dhe kjo për faktin se nuk ka m’u shqyrtu dosja e tyre duke u bazu në Agjencinë e Akreditimit të shtetit prej të cilit vjen, por në institucionin prej të cilit e ka fitu diplomën.
Pra, nëse i ke përfundu studimet Bachelor në Kosovë edhe synon m’i vazhdu ato Master në ndonjë universitet evropian apo ma gjerë, aplikimi yt ka me hy nëpër filtra dhe procedura që munden me rezultu edhe me mosnjohje të asaj diplome, e që në mënyrë të drejtëpërdrejtë ta pamundëson vazhdimin e studimeve jashtë vendit.
Për këtë ramje drastike, ndjehuni t’lirë m’i falënderu partitë, liderët e tyre edhe ish-qeverinë.