Ngjitju bjeshkës nëse s’t’vlen diploma!
Liridona Ademaj
Kur universitetet tona publike vendosën me ia mbyllë derën disa të rinjve që synonin me ia nis me studiu, kolegjet private u bënë shpëtimtaret e ëndrrave të këtyre të rinjve.
Pasi morën titullin student, ishin kohëna t’gëzume për ta, nisën me i ndjekë ligjëratat, me lexu libra, me hy në provime, e pothujse krejt nëpër çka edhe një student në universitet publik zakonisht kalon.
I kaluan 3-4 vjet tu thur andrra për të ardhmen, dikush synonte m’i vazhdu studimet jashtë vendit, dikush në po atë kolegj, e dikush-dikush me nis me lypë punë pas diplomimit.
Andrrat e planet nisën me iu rrënu, veç pasi shkonin në Ministri të Arsimit me e vërtetu diplomën që e kishin fitu me mund, e me pare shumë.
Disa prej tyre, aty njoftoheshin që diploma e tyre nuk njihej ligjërisht dhe se ato vite e pare nuk mund të kurorëzoheshin me një diplomë të vlefshme. Shumë shpejtë, shpëtimtari i tyre kthehej në një mashtrues.
Njëra nga kolegjet private të cilat gjatë vitit 2019, regjistroi nga 120 studentë në programet që s’kishte akreditim, arsyetohej duke thanë se kolegjet simotra viteve të kaluara regjistronin mbi 1000 studentë dhe se “fillimi i mësimit për 150 kandidatët e rekrutuar po bëhet si bjeshkë në opinion”.
Probleme me tejkalim të numrit të studentëve në programe ku ishte i kufizum numri i tyre, e që janë raportu deri tash kanë studentët e Kolegjit AAB, Kolegjit UBT, Kolegjit Heimerer, Kolegjit FAMA, e ndoshta ka hala!
D.m.th. çka ka dert që këta studentë s’kanë me marr asniherë një diplomë të vlefshme? E rëndësishme është që ata kanë mësu diçka gjatë atyre tri vjetëve. Në një vend me gjithë këtë papunësi, nuk është e thënë krejtve me iu dashtë diploma a?
Ani çka që ti i ke ndihmu një biznesi vendor me ato mijëshe për të paktën tri vite? Diqysh duhet me mbijetu edhe ata!
Qysh pati thonë edhe Kolegji Rezonanca, nuk është nevoja me e bo bjeshkë që paskeni jep shumë pare e s’po iu vlen diploma. Me rëndësi me pas qarkullim!