Shporta e studentit
Hyrje
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës 70,313 studentë janë pjesë e sistemit universitar publik, megjithëse vetëm 55.4% e të rinjëve janë të papunë.
“Sa rrinë badihava ma mirë shko në shkollë”, thotë një fjalë e urtë popullore. Ose, “më mirë bujk e me fakultet sesa bujk analfabet”. Pritshmëritë e larta shoqërore për shkollimin e gjeneratave të reja kanë ndikuar që Kosova të konsiderohet si vatër e elitës intelektuale.
Pavarësisht çmimit të ulët të pagesës së semestrit, familjet kosovare kanë vështirësi në shkollimin universitar të fëmijëve të tyre. Paga mesatare në Kosovë për vitin 2017 është 471 euro neto dhe rrjedhimisht familjet hasin në vështirësi për ti mbuluar poashtu edhe shpenzimet e vizave dhe pagesave të tjera për programe “Exchange” janë vendit. Prandaj, ORCA ka vendosur të hulumtojë sa shpenzon një student në Universitetin e Prishtinës, në mënyrë që të kuptojmë natyrën e shpenzimeve, dhe çka mund t’i ofrojnë institucionet këtyre studentëve.
Të Dhënat e Përgjithshme
Universiteti i Prishtinës ngarkon studentët të paguajnë 25 euro për semestër, kurse viti i parë është falas. Kjo dukuri nuk aplikohet edhe për shtetasit e huaj pasiqë me këtë rast Kosova rrezikohet nga imigrimi legal.
Studentët në UP mesatarisht shpenzojnë 37.7 euro për semestër në literaturë gjatë studimit. Shumë herë ata janë vetë autorë të skriptave dhe materialeve të tjera mësimore mirëpo zakonisht me shumë dashamirësi ata mbështesin financiarisht profesorët duke i blerë librat e tyre.
“Studentët Lazdranë” konsiderohen ata të cilët ushqehen në mënyrë vetanake duke shpenzuar mesatarisht nga 5 euro në ditë. Kjo kategori e UP-së ankohen se mensa e studentëve nuk ofron ushqime të shijshme dhe se ushqimi në Qendrën e Studentëve nuk ka variatet.
Shpenzimet totale mujore për studentët e Universitetit të Prishtinës variojnë nga 25 (ja’u qafshim hallin) deri në 400 euro, ku përgjigjja më e shpeshtë është 150 euro. Shpenzimet e studimeve kryesisht mbulohen nga familja, pasiqë tregu i punës në Kosovë nuk është i hapur për të rinjtë.

Të Dhënat Specifike
(Sponzorët e UP-së)
Ata që mendojnë se studentët e Fakultetit Ekonomik shpenzojnë 22.36 euro në semestër për literaturë me qëllim të iluminimit të tyre intelektual e kanë gabim! Studentët shpenzojnë para për të blerë librat origjinal të profesorëve në mënyrë që të solidarizohen me ta. Është i papranueshëm fakti që një profesor i rregullt të siguroj jetesën e familjes së tij vetëm nga rroga bazë prej 1429 euro në muaj, andaj kontributi i studentëve është tejet i rëndësishëm. Megjithatë, studentët kanë shprehur revoltën e tyre sepse profesorët kanë vendosur të mos i shërbejnë me kafe e llokum studentët gjatë ceremonisë së blerjes së librave në kabinetet e tyre përkatëse.
Si shpenzim shtesë në këtë fakultet është theksuar mbajtja shtesë e kurseve me qëllim zotërimin e lëndës, fenomen ky që pavarësisht efekteve pozitive në ngritjen profesionale të studentëve, ka ngjallë konflikte t’ashpra mes atyne që i mbajnë kto kurse.
Akoma më të irituar vërehen të jenë studentët e Fakultetit Juridik, të cilët shpenzojnë 43.9 euro në semestër për literaturë. Zemër-gjerësia e këtyre studentëve përsëritet në kontinuitet. Sa herë që profesorët i “përditësojnë” librat e tyre, studentët pa hezitim ju drejtohen kabineteve dhe me këmbëngulje blejnë versionet e azhurnuara të librave. Kurse profesorët edhe atëherë nuk gjejnë kohë për ti gostisur ata.
Sikur kjo të mos mjaftonte, studentët e kësaj njësie akademike përgjatë studimeve duhet me gjet naj avokat me pagu për me u ngrit gjoja profesionalisht. E kjo shumë zakonisht shkon deri në 350 euro. (Është evidentu se ni zyrë e avokaturës ka ofertë të pa rezistueshme, paguaj kurs avokature, merr kurs boksi falas)
Ndërsa studentët e Fakultetit të Edukimit, këtë aktivitet solidar e marrim me sportivitet. Ndonëse ata kontribojnë në mirëqenien e profesorëve me 24.3 euro në semestër për blerjen e materialeve përgatitore për provime, studentët e këtij fakulteti e shohin si demode faktin që profesorët nuk i aplikojnë vlerat e të parëve siç predikohet me traditë. Gjithashtu, mësonjësit tonë t’ardhshëm duhet me i pagu shpenzimet që lidhen me praktikat që duhet me i kry në shkolla.
Studentët e Fakultetit Filozofik të cilët reflektojnë me shumë maturi karshi traditës së mikëpritjes Kosovare. Studentët argumentojnë duke thënë se kombi Kosovar është artificial dhe i imponuar nga ndërkombëtarët, andaj nuk është relevant fakti që profesorët janë të pa bindur ndaj normave shoqërore. Ngjashëm si kolegët e tyre, studentët e Filozofikut janë stoik ndaj bindjeve të tyre dhe me shumë vendosshmëri do të vazhdojnë të paguajnë nga 24.46 euro për literaturë në semestër. Kurse sa i përket shpenzimeve të materialeve shpenzuese për hulumtime, prezentime, dhe punime seminarike, studentët thonë se 17.5 euro në semestër është shumë e papranueshme, pasiqë me këtë rast profesorët nuk janë përfituesit e drejtpërdrejt.
Përceptimet e studentëve ndaj fenomenit të “sponzorizimit” variojnë nga njëri fakultet në tjetrin. Të dhënat e hulumtimit të ORCA-s tregojnë se studentët e Fakultetit të Mjekësisë ndonëse kontribojnë financiarisht çdo semestër me një shumë mesatarisht prej 88 euro, që njëherit është ndër më të lartat nga të gjitha njësitë akademike të UP-së, ata vazhdojnë të jenë të kënaqur me zemërgjerësinë e tyre. Sipas pjesëtarëve të këtij komuniteti, profesorët duhet mbështetur me blerjen e librave të tyre në mënyrë që ata të mos obligohen të shkojnë në Gjermani për të punuar për një rrogë më të lartë. Andaj, sponzorizimi i profesorëve të mjekësisë është obligim nacional dhe blerja e librave të tyre është akt patriotik.
Edhe nja 47.2 euro për semestër duhet me ble gjësende rrethanore për studime, kto baziket: mantele, veshje adekuate, kapuça, dorëza edhe bretkosa. E për kto të fundit fakulteti pritet me nënshkru ni memorandum bashkëpunimi me një fabrikë të që merret me kultivimin e bretkosave.
Të shtyrë poashtu nga ndjenja patriotike, studentët e Fakultetit të Arteve thonë se shpenzimet për literaturë në vlerë të 43 euro në semestër janë investime afatgjata në shoqërinë kulturo-artistike të Kosovës. Ata janë të bindur se me investime të tilla, profesorët do të jenë më të motivuar që të krijojnë vepra artistike të cilat do të përmirësojnë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Kurse shpenzimet e tjera për blerjen e broshuve, ngjyrave e shumëçka tjetër në vlerë prej 133.21 euro në semestër, janë shpenzime të rëndomta të një artisti kredibil. Arti në vete është disiplinë me peshë që përmes veprave artistike, autorët flasin dhe bëjnë ndryshime rrënjësore në shoqëri. Kështuqë çdo shpenzim ekstra është i justifikueshëm dhe studentët kanë privilegjin ti ndjekin mësimet në këtë fakultet.
Një fenomen interesant është vërejtur tek profesorët e Fakultetit të Filologjisë të cilët në mënyrë demostrative i sigurojnë studentëve literaturë online në formatin PDF, megjithëse studentët prap se prap obligohen të blejnë libra në vlerë prej 36 euro në semestër.
Kurse studentët e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore janë plotësisht të panjoftuar me format alternative të literaturës. Ata refuzojnë që të bien në kontakt me librat online pasiqë kanë ndëgjuar se paraqesin probleme me shqisën e të pamurit dhe prekurit. Prandaj luftimi i këtyre anomalive shëndetësore duhet bërë duke tharë lekun prej 32 eurove për blerjen e librave origjinal të profesorëve, citohet të kenë pjesa dërmuese e studentëve.
Një e gjetur interesant është vërejtur tek studentët e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Solidariteti i tyre arrinë në piedestal kur studentët deklarohen vullnetarisht se janë të privilegjuar të blejnë një libër në gjuhën serbe, ndonëse nuk kanë njohuri bazike të kësaj gjuhe. Për më tepër, ata janë të lumtur se profesorët i nxisin që të sigurojnë literaturë nga interneti dhe skriptat e shumta që shpesh-herë përgatiten nga vetë studentët, relevanca e të cilave është impresionuese. Ndonëse shkrimi i librave nga profesorët në këtë fakultet nuk aplikohen në çdo lëndë, studentët sërish janë të kënaqur që sponzorizojnë profesorët e tyre mesatarisht me 49 euro për semestër.
Shpenzimet tjera të cilat studentët i kanë deklaruar pa pikë turpi janë do pajisje speciale për punime: çanta të posaçme, vizore, hamera, stilolapsa adekuat, e kështu me radhë, që mund të mbërrijnë vlerën e 100 eurove (çka janë 100 euro për marakli). Edhe do kurse që duhet mi mbajt për disa programe softwerike të cilat nuk i ofron fakulteti, por, këto njohuri kërkohen në provime.
Studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë shpenzojnë mesatarisht 25.38 euro në semestër për literaturë. Kryesisht e bëjnë këtë që profesorët ti favorizojnë ata duke i shpërblyer me pikë shtesë në provim. Dhe si kopracë që janë, studentët e FBV njihen edhe si interesgji të mëdhenj, prandaj nuk bëhet fjalë për solidarizim me profesorët e tyre varfanjak.
Materiale shpenzuese si xhama për mikroskop, mantele për brenda fakultetit dhe në terren, çizme, stetoskop, që të gjitha duhet t’i mbulojnë vetë studentët. Këto shpenzime arrijnë 45 euro në semestër mesatarisht. Ekuivalenti i bretkosave në Fakultetin e Mjekësisë është pula në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. (p.s studentët kanë deklaru se pas eksperimenteve me pulën, atyne nuk u lejohet me marr me pjek te shpia, edhe pse e kanë pagu vet).
Një shembull tjetër tipik i kopracisë është ai i studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të cilët aspak nuk janë mirënjohës ndaj një pjese të profesorëve të cilët ju ofrojnë literaturë në sistemin elektronik të studentëve (SEMS). Kurse shpenzimet për literaturë i kanë mesatarisht 35.20 euro në semestër. Protestojnë me të padrejtë ndaj një profesori që obligon ata të blejnë në kabinetin e tij një libër në vlerë 10 euro dhe një tjetri që obligon studentët të blejnë 5 libra në vlerë prej 20 euro.
Studentët e FIEK do të duhej të quheshin si studentët e FIKTË. Si të paturp që janë ata shpenzojnë vetëm 25.71 euro për literaturë dhe kategorikisht refuzojnë të solidarizohen me profesorët e tyre. Kryesisht materialet akademike i sigurojnë nga librat e fotokopjuar dhe skriptat e ndryshme. Mesatarisht, studentët e FIEK shpenzojnë 51.65 euro në semestër për materiale shtesë. Edhe kta do shpenzime palidhje si: mikroprocesorë, module për ushtrime, kalkulatorë, fleta të bardha për ushtrime, kurse shtesë për zotërimin e lëndës edhe pse këtë të fundit nuk je i detyruar, porse lënda kalohet më lehtë nëse ndjek kurset shtesë për lëndë të caktuara.
Thonë se sporti me literaturën janë rryma të ndryshme, andaj edhe profesorët e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportiv e kanë kuptuar këtë çështje me kohë dhe nuk i obligojnë studentët të blejnë librat e tyre. Studentët e FEFS shpenzojnë vetëm 19 euro në semestër për literaturë.
Shumë disiplina në sport, shumë pare t shpenzume. Studentët e FEFS-it kanë shpenzime shtesë që lidhen me sigurimin e pajisjeve të ndryshme sportive të tilla si: rroba të veçanta për disiplina (shembull: futboll, karate, not etj.) Pastaj aplikimi i sporteve në praktikë përmes shfrytëzimit të pishinave, ambienteve të ndryshme sportive (palestra, pista të atletikës), terrene për skijim etj. Edhe pse zakonisht kur këto aktivitet organizohen nga fakulteti ka lehtësime në pagesa për studentë (na keni nihmu…). Krejt kto shpenzime arrijnë 105 euro në semestër, mesatarisht.
Përfundime
Megjithëse shpenzimet e studentëve të UP-së gjatë studimeve numërohen relativisht të larta, studentët nuk shpehin shqetësime të shumta, madje ata janë të kënaqur që shërbejnë si shtyllë elementare për mirëqenien e profesorëve. Gjatë diskutimeve në fokus grupe, është potencuar se në ShBA mesatarisht një student shpenzon $1200 në vit (libra & materiale të tjera shpenzuese), andaj krahasuar me këtë vlerë monetare, studentët e UP-së rangohen në një pozitë jashtëzakonisht të lakmueshme. Për më tepër, kushtet e këqija në konvikte nuk paraqesin ndonjë problem serioz duke marrë parasysh faktin që studentët i kalojnë në këto hapësira vetëm disa orë gjumë në ditë.
Sa i përket cilësisë së ushqimit në menzë, studentët ankohen me të drejtë. Me raste ndodhë që pireja të ofrohet me jahni pa mijane, aspekt ky që paraqet probleme serioze tek studentët që kanë alergji në gluten. Si pasojë, studentët janë të detyruar të konsumojnë ushqime të tjera alternative në mënyrë vetanake, ku për tre shujta në ditë nuk shpenzojnë më shumë se 4.7 euro.
Sipas të dhënave të hulumtimit, kryesisht del se studentët që më së shumti shpenzojnë para në udhëtime janë studentët e Fakultetit të Arteve, (14.8 euro në javë). Ky fenomen në rrafshin popullor shprehet si; “edhe artist edhe fshatar se rrok”. Kurse studentët e Fakultetit Ekonomik janë ata që më së paku shpenzojnë për udhëtime (4.55 euro në javë). Përpos që njihen si kursimtarë të mëdhenj, studentët e këtij fakulteti konsiderohen si qytetar tejet të integruar në kryeqytet.
Sa i përket qirasë, studentët e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore shpenzojnë më së shumti (122 euro në muaj) kurse ata të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike shpenzojnë më së paku (58.33 euro në muaj), “sa ma ngushtë, aq ma gjonë” citohen të kenë thënë studentët e FIM. Për më tepër, ndarja e hapësirave banuese me kolegë praktikohet edhe në vendet e civilizuara të perëndimit, andaj studentët e këtij fakulteti preferojnë të jenë një hap me kohën.
Kur bëhet fjalë për shpenzimet e ushqimit, studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike janë ata që prijnë në Universitet duke shpenzuar 6.66 euro në ditë, ndërkohë që studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike shpenzojnë më së paku, vetëm 2.81 euro në ditë. Ushqehen kryesisht me tosta te “VIZIT” dhe energji të diellit, me qëllim që të promovojnë vlerat ekologjike. Çfarë do që vjen prej Zotit është e mirëseardhur, prandaj edhe rrezet e diellit gëzojnë respekt të veçantë tek kjo kategori e studentëve.
Sa i përket shpenzimeve totale mujore, studentët e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës shpenzojnë më së shumti (200.38 euro në muaj), këto shpenzime kryesisht alokohen për aktivitete rekreative si tenis, polo, dhe golf. Ndërkohë që studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike shpenzojnë më së paku (109.61 euro në muaj).
Për pak me i harru bursat, kto universitare që zakonisht dalin n’llogari studentëve gjatë pushimeve verore, e kto te Ministrisë së Arsimit që ndahen sipas parimit “ku t’qëllon” për do fakultet po, për do fakultet jo. Hajgare, se ministria ka “plan strategjik afatgjat” (tri rrena ni fjali).