Studentet e 1 tetorit
21 vjet mbas protestës së studentëve më 1 tetor 1997, Tempulli i Dijes sjellë tregimet e protagonistave kryesorë të lëvizjes së atëhershme studentore.
Ekzistenca e Universitetit të Prishtinës të themelum më 1970, vihet në pikëpyetje më 1989 me suprimimin e autonomisë së Kosovës. Më 1991 u përjashtun të gjithë studentët dhe profesorët shqiptarë nga universiteti. Gjatë periudhës 1991-1999 i gjithë sistemi arsimor në Kosovë duke përfshi edhe Universitetin e Prishtinës, hyn në sistem “ilegal” paralel. Mësimi gjatë kësaj kohe mbahet nëpër shtëpi private, dhe paraqet nji mbijetesë të studentëve dhe qytetarëve të Kosovës.
Deri në vitin 1997 nuk pati asnji organizim serioz për rikthimin e hapësinave universitare. Por gjithçka ndryshon më 1 tetor 1997.

Bujar Dugolli:
“Pas suprimimit të autonomisë, largimit të studentëve nga universiteti, thjeshtë përjashtimit të shqiptarëve nga objektet dhe hapësirat universitare, mësimi nëpër shtëpi-shkolla ishte një mbijetesë e arsimit të lartë në Kosovë”
Ky sistem paralel i arsimit vazhdoi deri më 1 shtator 1996, kur Ibrahim Rugova dhe Slobodan Milosevic arritën nji marrëveshje për arsimin shqip. Në fakt, sistemi paralel vazhdoi edhe pas kësaj date, sepse marrëveshja nuk u zbatu kurrë.
Mihane Salihu Bala:
“Status quoja është ajo që, ndryshimi i status quos ka qenë ajo që është bërë bazë e lëvizjes. Në anën tjetër ne si lëvizje studentore edhe unë si pjesë jemi përkushtu për lëvizje paqësore”
Organizimi i protestës filloi qysh në shkurt 1997, gjashtë muj përpara.
Muhamet Mavraj:
“Me shkrime, takime me studentët, me çdo subjekt politik e kulturor, arsimor, intelektualë, me grupet në hije, me diplomatë të huaj, me të gjitha unionet studentore, me të gjitha fakultetet, me rektoratin në krahun tonë tashmë, hap pas hapi e ditë pas dite i pjekëm kushtet për demonstrata”
Mihane Salihu Bala:
“Ne kemi punu për gjashtë muaj me u konsolidu edhe 1 tetorin e kemi ditë që është dita e parë e protestës. E natyrshme, se viti akademik fillon më 1 tetor, po s’kemi mujt me zgjedh një datë përpara ose një datë mbrapa pa qenë 1 tetori. Është ajo simbolika që kemi dashtë me arrit edhe me manifestu edhe me realizu”
Protesta ishte vendosë me qenë paqësore

Mihane Salihu Bala:
“Ka qenë idea e lëvizjes paqësore, edhe pse si koncept për herë të parë është prezantu tek Unioni i Pavarur i Studentëve prej Albinit, prej Albin Kurtit. Si gandizëm paqësor aktiv”
Protesta kishte kërkesë të thjeshtë: kthimin e objekteve të universitetit.
Milot Cakaj:
“Dy pikat kryesore të kësaj platforme ishin: “Protestat e studentëve janë organizuar për të çliruar objektet dhe hapësirat e universitetit tonë të okupuar nga regjimi serb që nga viti 1991”, dhe “Protestat janë të studentëve, paqësore dhe jo të dhunshme”
[Kosovo 2.0/ 1 tetor 2017]

Në organizim morën pjesë shumë studentë, profesorë dhe vetë rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci.
Albin Kurti
“Duke ju falenderuar kontributit të tij të jashtëzakonshëm UP në vitet e ’90-ta ishte i vetmi institucion i vërtetë i Republikës së okupuar të Kosovës. Prof. Ejup Statovci, padyshim, është intelektuali më i madh i të gjitha kohërave që ka pasur Universiteti i Prishtinës”
[vetëvendosje.org]
Gjatë kësaj kohe president ishte Ibrahim Rugova dhe partia kryesore ishte LDK. Sipas disa nga liderët e lëvizjes studentore, LDK në fillim ka hezitu dhe herë herë ka provu me i diskuraju studentët për protesta dhe rezistencë.
Bujar Dugolli
“Ata na bënin, njerëzit përreth tij [Rugovës] edhe në kryesi të LDK-së na bënin obstruksione dhe nuk na lënin të depertonim mu taku [me Rugovën], duke na dhënë epitete të ndryshme, jo janë studentë i takojnë këtij grupi, jo janë t’kuq, jo janë studenta të dështuar, jo janë t’dobët, jo nuk shkon askush nga mbrapa tyre dhe na jepnin epitete të ndryshme”
Muhamet Mavraj
“Ai kërkonte anulimin e protestave me eufemizmin e shtyrjes së tyre, si gjithmonë “për një kohë më të përshtatshme”
Por jo të gjithë liderët studentorë të asaj kohe pajtohen me konstatimin se Rugova nuk i përkrahte.
Mihane Salihu Bala
“Rugova asnjëherë nuk ka thënë jo. Edhe parë nga aspekti politik edhe i mbijetesës, presidenti Rugova nuk ka thënë asnjëherë “jo nuk bën të mbahen, jo, s’ka me u mbajt”. Ka thënë “s’është koha”,” thotë ajo për qëndrimet e Rugovës ndaj protestës. “Janë përpjekë me prolongu, me shty, mos me qenë pjesë aktive, mirëpo në fund të gjithë kanë pjesë e lëvizjes”
Mihane Salihu Bala, si anëtarja e vetme gru në kryesi të Unionit i Pavarur i Studentëve, veçon edhe studentet aktiviste të asaj kohe, që kanë marrë pjesë në organizim, dhe që rrallë iu përmendet kontributi.
Mihane Salihu Bala
“Angazhimi i vajzave ka qenë i mahnitshëm… Kanë qenë numër shumë të madh te kurset e ndihmës së parë. Ni numër shumë i madh i studenteve është trajnu për dhënien e ndihmës së parë. Megjithatë kanë rreziku, kanë nda kohë, kanë pasë vullnet të vijnë edhe të jenë pjesë e saj”

Me gjithë metodën paqësore që ndoqën protestuesit, policia e regjimit të Millosheviqit ishte përgatitë për agresion.
Bujar Dugolli
“E pyeta rektorin, a ulemi? – Bujar, sipas platformës protestës. Dhe u ulëm”
Mihane Salihu Bala
“Edhe brucat që erdhen ditën e parë të fakultetit edhe kreu i universitetit hangrëm dajak barabartë”
Protesta u mbështet përveç nga qytetarët e Kosovës, edhe nga shumë organizata të shoqërisë civile, organizata ndërkombëtare, studentë serbë nga Beogradi dhe Novi Sadi, studentë evropianë, medie ndërkombëtare, diplomatë.
Mihane Salihu Bala
“Atë ditë ne kemi pasë, në protestat tona studentë nga Beogradi për me na përkrahë neve, ose Novisadit, Podgoricës ose vendeve të Evropës. Kanë ardhë organizata të të rinjëve, studentëve të Evropës, gratë në të zeza, fondacioni Soros, Natasha Kandic”
Solidariteti shoqnor nuk ishte vetëm i një kombësie, ai ishte nji solidaritet qytetar.
Mihane Salihu Bala
“Romët, popullata e komunitetit rom, ashkali, egjiptianë të lagjes Dodona i kanë hapë dyert për studenta. Kanë dhanë qebe, ata i kanë hapë ato dyert e veta të shpirtit, ato shtëpi të vogla, ato kasolle kanë futur njerëz”
Pasi përfundoi protesta, presidenti Rugova mori anën e studentëve në mënyrë të hapur.
Bujar Dugolli
“Më vonë normal të nesërmen [pas protestës] Kryetari Rugova doli dhe e çmoi rolin tonë, i falenderoi studentët, universitetin për protestën”

Protestat nuk ishin të instruktume e as të ndikume nga askush dhe kjo pohohet nga të gjithë organizatorët. Për ma tepër, ato protesta vunë në lëvizje partitë politike e shoqërinë në përgjithësi.
Protesta e 1 tetorit 1997 pati shumë ndikim në kthimin e shpresës në mesin e qytetarëve.
Muhamet Mavraj
“Vdekja e mitit të frikës, fundi i politikës pasive dhe pakthyeshëm provokimi i tensioneve që do t’ia hapte derën Perëndimit për ta ndihmuar Kosovën. Uniforma serbe pësoi nënçmim të rëndë. Pa gjallërimin e energjive vepruese, Kosova do ta kishte fatin e Vojvodinës, thellë në gjirin serb”
Albin Kurti
“Më 1 Tetor 1997, studenti dhe qytetari i Kosovës rrëzohej, ai binte përdhe, por ai ecte, dhe atë, ecte vertikalisht. Ai tani rrëzohej sepse ishin bërë shumë vite që nuk ishte ngritur. Dhe kënaqësinë dhe gëzimin e ngritjes, lumturinë dhe harenë e të qenit njeri me dinjitet, nuk ka rrëzim që e zvogëlon”
[vetëvendosje.org]
Bujar Dugolli
“Më ka pyet një inspektor i UDB-së pse po merresh me politikë. Unë i thashë s’jom tu u marrë me politikë sepse unë udhëheqi Unionin e Studentëve të Pavarur, m’ka thanë dëgjo, politika ma e madhe që osht duke u bo në Kosovë jeni duke e udhëheq ju”
Milot Cakaj
“Për ne, ishte e rëndësishme që protesta të ndodhte, aktivizmi, mobilizimi i njerëzve… Pas reagimit të dhunshëm të policisë, u bë e qartë gjendja. Ke një kërkesë kaq të vogël dhe trajtohesh në këtë mënyrë, çka nëse kërkon më shumë të drejta? Kështu ndodhi mobilizimi; u rikthye guximi”
[Kosovo 2.0/1 tetor 2017]
Mihane Salihu Bala
“Lëvizja studentore ka një adresë po s’ka padron sepse secili prej nesh ka dhënë hisen e vet, jetën, mundin, kohën”