Studenti në Statutin e Universitetit të Prishtinës
Statusi i studentit fitohet me rastin e regjistrimit të personit pranë Universitetit të Prishtinës, me të cilën e fiton të drejtën të ndjek studimet, të shfryzëtoj hapësirat universitare, shërbimet për studentë, gëzon të drejtën e ankimimit lidhur me cilësinë e procesit të mësimdhënies, infrastrukturës si dhe të drejtën për të kundërshtuar një vendim apo veprim të Universitetit.
Përcaktimi i këtyre të drejtave në Statutin e Universitetit të Prishtinës, lë hapsirë për të kuptuar domosdoshmërinë e një linje organizative kur studentët, përveç ushtrimit individual të drejtave të tyre, kanë mundësinë të kenë grupacione, përmes të cilave do të kanalizojnë formalisht kërkesat, kundërshtimet dhe çështje të interesit pranë organeve kompetente të UP-së.
Pra që interesat e studentëve të përfaqësohen, Statuti ka përcaktuar organizimin e studentëve, si të drejtë themelore të cilën mund ta realizojnë përmes themelimit të organizatave studentore.
Në cilat organe mund të përfaqësohen interesat e studentëve në kuadër të Universitetit?
Janë tre organe pranë të cilave mund ta bëjnë:
- Parlamenti i studentëve në nivel të Universitetit;
- Këshilli i studentëve në nivel të njësisë akademike (Fakultetit) .
- Senati i Universitetit të Prishtinës
Parlamenti – është organi suprem i përfaqësimit të studentëve, ku numri i tërësishëm i anëtarëve është 17 dhe anëtarët propozohen nga organizatat studentore në bazë të numrit të përgjithshëm të votave të arritura në zgjedhjet e studentëve. Anëtarët e parlamentit të studentëve zgjedhin kryetarin por zgjedhin gjithashtu edhe anëtarët student të Senatit, e nga ky numër- kryetari i parlamentit të studentëve është anëtar exofficio i Senatit . Sa i përket mandatit të anëtarëve të Parlamentit të studentëve por edhe të këshillit të studentëve të njësive akademike, ai është 2 vite – pa të drejtë rizgjedhjeje. Parlamenti studentor dërgon 7 përfaqësues studentë në Senatin e Universitetit të Prishtinës.
Këshillat e studentëve – kanë në përbërje 1% të numrit të përgjithshëm të studentëve të rregullt që janë regjistruar, pra më së paku 5 dhe më së shumti 21 anëtarë. Anëtarët propozohen nga organizatat studentore në bazë të numrit të votave të arritura në zgjedhjet e studentëve, sipas listave prioritare të cilat publikohen nga organizatat në fillim të fushatës zgjedhore. Anëtarët e këshillave zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarin por gjithashtu propozojnë 3 (tre) kandidatë për anëtarë studentë të Senatit për tu zgjedhur nga Parlamenti i Studentëve. Këshillat por edhe parlamenti i studentëve, ushtrojnë detyra në bazë të parimit të shumicës së votës.
Për veprimtarinë e Parlamentit të studentëve dhe të këshillave, Këshilli Drejtues i UP-së i ndan një buxhet të përshtatshëm vjetor.
Sfida paraqitet në aspektin praktik të funksionalizimit të këtyre të drejtave që studentët kanë, angazhimin që organizatat bëjnë për adresim të çështjeve aktuale brenda UP-së dhe gjithëpërfshirjes së studentëve brenda vetë këtyre strukturave organizative.
Me gjithë këto deri sot nuk është parë ndonjë funksionim adekuat i trupave studentore. Ato në vazhdimësi kanë treguar se kontrollohen nga grupe të ndryshme interesi që i kanë rrënjët e tyre në parti politike.