kronika e zezë

Universiteti n’lloç
01/12/2019

Universiteti n’lloç

Më 8 tetor 2018, ORCA pati dorëzu para Këshillit të Etikës së UP-së, denoncimin për 8 profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të cilët janë avancuar me punime në revista mashtruese.
Profesorët kishin publikuar nga 7 deri në 19 punime secili brenda një periudhe 1 vjeçare e gjysmë. Kjo gjë është e pamundur, nëse për asgjë tjetër atëherë për faktin e thjeshtë se një profesor i inxhinierisë mekanike në Norvegji, arrin të publikojë 0.96 punime në vit, pra as një punim të plotë.

Këta 8 veta u avancuan përmes një grumbulli punimesh. Shumica e punimeve përmbajnë plagjiaturë, gabime në drejtshkrim dhe gramatikë në gjuhën angleze, gjë që e bën të pamundur që ato të botohen në revista cilësore. Megjithatë, revistat ku ishin botuar këto punime ishin të indeksuara në platformën SCOPUS. Më pas ORCA iu është drejtuar kësaj platforme duke ngritur dyshime për këto revista. Bazuar mbi këto dyshime, SCOPUS i kishte përjashtuar revistat nga platforma e saj.

Të gjitha këto prova, nuk i mjaftuan Këshillit të Etikës së UP-së për të marrë masa e as për ta adresuar rastin më tutje. Ata, pas një vitit shqyrtim të rastit, thjeshtë erdhën në përfundimin absurd, se nuk kanë as mandat e as mundësi profesionale për ta kryer këtë punë. Kjo përgjigje është e papranueshme.

Tash, përtej çdo dyshimi të bazuar: Ahmet Shala, Ramë Likaj, Azem Kyçyku, Mirlind Bruçi, Naser Lajqi, Nexhat Qehaja, Rexhep Selimaj dhe Xhevat Berisha, janë avancuar me punime të publikuara në revista mashtruese.

Kjo nuk është asgjë tjetër veçse legalizim i avancimeve jomeritore e i plagjiaturës, kjo është thirrje e Këshillit të Etikës dhe përmes tij, e Senatit që njerëzit të angazhohen në plagjiaturë e në mashtrime sepse askush nuk do t’i ndëshkojë. Kjo është gjuajtje në lloç e universitetit.