Arsimi, arma e vetme kundër racizmit
Përpos shkollimit tim, aktivizimi në fushën e të drejtave të njeriut është pjesa ku unë gjithnjë e ndjej momentin kur forcohet dinjiteti im njerëzor, të cilin të jetuarit në Kosovë ma ka bërë shpesh të cënueshëm. Kjo sepse unë kam ngjyrë më të errët se ju, sepse i përkas komunitetit Rom të Kosovës. Më e vështirë se sa në autobus, duke pritur në rend apo kudo në përditshmëri, ndoshta shumëfish më të vështira ishin rastet e përjetimeve në rrugëtimin tim në procesin arsimor.
“Fatlum, kështu vizatohet”
“Fatlum kështu vizatohet“ është një frazë që më kujtohet shpeshherë së bashku me mësimdhënësin tim dhe buzëqeshjen e tij të ngrirë.
Besoj që secili person e mban mend ndonjë shok a shoqe, më të shkathtë se të tjerët në ndonjë lëndë. I tillë isha unë, xhokeri i klasës për vizatim, dhe bëja vizatime e gjithë klasës, sidomos në fund të vitit kur notoheshim.
Një ditë unë e përfundova vizatimin tim dhe doja një koment nga mësimdhënësi im për vizatimin. Komenti ishte shumë i ftoftë dhe nuk ja kishte mbushur pritshmërinë. Më tha të ulesha në bankën time, që ishte banka e fundit. Dhe kur e mendoj, ajo nuk ishte banka e fundit rastësisht, ajo ishte banka e fundit e rezervuar për dikë NO-VIP (i parëndësishëm).
Vizatimin e njëjtë me temë të njëjtë e të bërë nga unë po e dërgon shoqja e klasës. Në njërën anë me ankthin që më vinte nga besimi se mësimdhënësi do ta priste me po të njëjtën kritikë, duke qenë se autor isha unë vet, e në anën tjetër duke shpresuar se përpjekja e dytë “ilegale” përmes shoqes mund të kalojë, prisja disi edhe me optimizëm edhe me frikë. “Fatlum, kështu vizatohet” – qe komenti i mësimdhënësit që në dorë e mbante triumfalisht vizatimin tim, sikur po i tregonte armikut kokën e prerë të lajmëtarit që kishte sjellë kërkesën për paqe. Ai shihte herë vizatimin në pjesë të ndryshme të tij – në ato pjesë ku atij ia merrte mendja se ishin realizuar me mjeshtëri nga shoqja e klasës – e herë mua duke buzëqeshur po prapë me triumfin e pafshehur në fytyrë, këtë herë sikur shkencëtari i ri që ka zbardhur rezultatin e ndonjë problemi të vjetër. E mua, që isha përfshirë në mashtrim duke provuar të ndihmoj, s’më mbetej tjetër veçse të vazhdoja mashtrimin duke u munduar ta fsheh fytyrën dhe shikimin të cilin e hidhja poshtë, pak për ta luajtur rolin e fëmijës së cënuar e pak për ta fshehur nënqeshjen time triumfatore, se fundja vizatimi im i dytë e kishte marrë maksimalen e vlerësimit.
“Mos u bëni si magjup”
Unë u rrita dhe fillova studimet në Universitet. Plot vite kanë kaluar nga “Fatlum, kështu vizatohet”. Kosova ka ndryshuar shumë, në formë, duket më e bukur.
Aty ku nuk e pret, në departamentin e sociologjisë, ndodh një “incident” racist. Profesori gjatë ligjëratës po tregonte për një ngjarje që i kishte ndodhur atij… Meqë ra fjala, të tilla tregime ngjarjesh nga jeta e përditshme e profesorëve mund të dëgjohen shpesh nëpër ligjërata. Nuk e di a i duket të gjithë lexuesve normale, por kjo edhe sot e kësaj dite më duket e jashtëzakonshme. Së pari, për atë se se si ndjehen profesorët të lirë të flasin për jetën e tyre private në audienca të gjëra dhe së dyti sepse nga ta pritet të flasin për temat e lëmisë dhe jo për jetën e tyre. Sido që të jetë, profesori që përmenda tregonte se si një person tjetër kishte bërë gjeste të pahijshme dhe ky (profesori) i kishte thënë “Mos u bë si magjup!”.
Ky koment më bëri të ndihem jashtëzakonisht keq, jo fort për atë që u tha, sesa për atë se kuptova që racizmi si qasje nuk qe vetëm rast i izoluar i shkollës fillore e të mesme, por edhe në jetën universitare, ku njeriu pret minimumin e korrektësisë politike, nëse jo vetëdijen optimale intelektuale.
Nuk dija procedurat që mund të ndiqja për ankesë, por ishte shumë e rëndësishme për mua që njerëzit ta kuptojnë se ajo shprehje që ndoshta ata janë mësuar ta përdorin në përditshmërinë e tyre, ofendon keq njerëz të tjerë. Madje e ndjej të nevojshme edhe tash ta përsëris atë që kisha shkruar atë kohë në facebook:
“Kur edhe në katedrën e Sociologjisë në UP ekziston koncepti i etiketimit “SI MAXHUP ” për të ju referuar diçka të keqe sidomos nga profesorë të nivelit të lartë kjo është më shumë se RACISTE”.
Krejt këto situata dhe shumë të tjera që nuk po i përmendi, flasin për mungesën e dimensionit kritik të arsimit dhe kualitetit të dobët të tij. Këto paragjykime nuk luftohen ndryshe veçse me arsimim, si të paragjykuesve ashtu edhe të të paragjykuarve.
Nga: Fatlum Kryeziu – Student i Sociologjisë