Ehhh shkenca…
Ehhh shkenca… (inspiruar nga prezantuesi Kika, Llapi TV “Talent Show”)
Shpesh diskutojmë për Universitetin, disa individë na udhëzojnë që mos të jemi pesimist, me çka pajtohemi plotësisht, por a duhet të jemi realist apo të bëhemi kinse nuk po vërejmë se çka po ndodhë me dhe rreth neve.
A është nota matëse e dijes apo vetëm numër?
Notat e studentëve janë veç numra në të shumtën e rasteve, ka studentë që asnjëherë në historinë e tyre në Fakultet nuk ju keni parë çantë në krahë, dhe ka prej atyre që sa e sa herë kanë pasë edhe dhimbje të shpindës nga literatura dhe/ose laptopi që kanë bartur në çantën e tyre, dhe kur vjen koha e vlerësimit përfundimtar vlerësohen njëjtë.
Ligjëratat “moderne”
Shpesh kemi hasur ne asistentë e profesorë, që mendojnë se shënimi i disa rreshtave nga libri dhe prezantimi i tyre në PowerPoint me ndihmën e projektorit, duke i lexuar vetëm ato (në të shumtën e rasteve për herë të parë aty) shpesh pa elaborime e sqarime, e bën ligjëratën moderne dhe bashkëkohore, ose edhe të tillë që as nuk e kanë angazhuar dikë për t’i shënuar pak rreshta, por i marrin dhe i kopjojnë ato të gatshme online në gjuhen angleze, dhe të cilët tani paraqiten edhe më supermodern duke treguar që është turp dikush të mos dijë anglisht edhe nëse edhe vet lë shumë për të dëshiruar në aspektin e gjuhës. Kemi edhe raste kur gjatë ligjëratës përdoren edhe fjalë që janë të pakuptueshme edhe nga vetë ata që i përdorin, por që konsiderohen “moderne” dhe si të tilla e bëjnë edhe ligjëratën moderne.
Sjelljet
Sjelljet e studentëve në tërësi duhet të jenë konform kornizave që i kanë ligjëruesit (secili në mënyrën e vet), sa e sa herë duhet dëgjuar gjëra që as nuk kanë lidhje me lëndën që ligjërohet as nuk janë adekuate për t’u diskutuar në një vend që po e quajmë me gojën plot tempull i dijes, sa e sa herë duhet të duhet të qeshemi me zor ose edhe të qëndrojmë indiferent duke u “zi” nga brenda, por që kur e mendojmë provimin e diplomimin, heshtim.
Kemi të tillë “shkencëtar” që del para studentëve, që mburret dhe krekoset me punimet e veta që as ai vet nuk e din cila është rëndësia e tyre në praktikë, nëse nuk i ka të përkthyera ose modifikuara nga ato ekzistueset, më e keqja se të tillët janë duke mentoruar pseudoshkencëtar të rinj që zoti na ruajt prej tyre. Kemi edhe studentë “servilë” që me pretekstin e konsultimeve shkojnë tek profesorët/asistentët që ata t’i njohin, dhe eventualisht në stilin primitiv të dalin të njofshëm, ose edhe në ligjërata duke i asistuar në ndezjen e pajisjeve teknologjike, ose edhe komentimit të ndonjë ngjarje aktuale me qëllim familjarizimi, këto e shumë sjellje tjera që i shohim shpesh.
Të vetëdijshëm se këto sjellje janë jo të mira, gjithashtu edhe autokritik që nuk ngrihemi në mbrojtje të vlerave, por që sjellja jonë sidomos edhe na dirigjohet nga rrethanat dhe mundësia që na ofrohet, dhe shpesh Fakultetin e shohim si një rrugë kaluese për një vend ku do të vlerësohemi, për atë çka jemi e punojmë.
Besoj që nuk është ky Universiteti që e duam, por fatmirësisht ka edhe studentë e profesorë, që e duan shkencën e vlerën, dhe herët ose vonë këta do të triumfojnë, dhe Universitetin do ta kthejmë në vend ku studiohet e bëhet shkencë e mirëfilltë, e jo improvizime…
Kur të jesh mërzitur shumë
Këtu s’do te jem, do jem i diplomuar;
Në humnerë i tretur si të tjerët,
Në bibliotekën e preferuar
Nuk do mësojmë teste si atëherë.
Dhe nëpër sallat ku kam kopjuar,
S’do shihet shkarravina në bankë,
Mbi diplomën time do të rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.
Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do të jem i vetmi i tillë,
Dhe, kur ne spital të shkosh për shërim,
Do qash me shokët e “idealit” tim.
Po kur te jesh mërzitur shumë.
Në raft pasaportën do kërkosh,
Atje do të jem i shtypur unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë
Mjafton që prej këtu ti shpejt të ikësh
Dhe unë menjëherë, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.
P.S. Falënderojmë Dritëro Agollin për poezinë, dhe i kërkojmë falje për modifikimin e saj.
Granit Çeku – Student në Fakultetin e Ekonomisë – Universiteti i Prishtinës