mendoj

Fasada e “bardhë” e Fakultetit të Mjekësisë
25/07/2022

Fasada e “bardhë” e Fakultetit të Mjekësisë

Fakulteti i Mjekësisë, ky institucion i glorifikuar në shoqërinë tonë, që paraqet vetëm një nga vatrat e shumta të disfunksionit të arsimit të lartë dhe të shtrembërimit të cilësive akademike. I populluar me pseudoprofesor e pseudopedagog, Fakulteti i Mjekësisë është thjeshtë një fasadë e bukur për syrin e një pjese të konsiderushme të shoqërisë.

Cila është zgjidhja? E thjeshtë. Ngritja e vetëdijes së studentëve. Rëndësia e të qenit student/e nuk qëndron vetëm në aftësinë për ta përfunduar fakultetin, është shumë më e madhe se aq. Studentët janë brumi esencial, i cili është i domosdoshëm për ndërtimin e një shoqërie funksionale dhe demokratike.

Fakultetit të cilit i përkas, të drejtat e studentëve shkelen pothuajse vazhdimisht. Raste? Ja disa:

1.Futesh në provim, mbaron, je i pakënaqur me notë, kërkon konsultime të cilat janë të garantuara me statut të fakultetit, nuk të jepet e drejta ta shohësh provimin, të parashtrohet pyetja nga profesori: “A po don me marrë a pe refuzon se nuk kom kohë mu marrë me juve?” ose “Të ishe kon naj fmi i kolegëve tonë nuk ish kon problem”

2.Tenton që për problemin e mësipërm të kontaktosh me stafin drejtues të fakultetit (Dekanen dhe Prodekanët), nuk merr përgjigje, je i padukshëm për ta.

3.Provimet e përpiluara duke huazuar pyetjet testuese nga libra internacional. Aq shumë kopjohen pyetje nga libra të huaj sa ka pasur rast që një X profesor as nuk e dinte përgjigjen e saktë të një pyetje të provimit që vet e kishte përpiluar. Ky i fundi kur konfrontohet për paditurinë e tij, nervozohet dhe kërkon t’ja lëshosh zyrën.

4.Në bibliotekën e Fakultetit të Mjekësisë, imagjinojeni, nuk ka karrige të mjaftueshme për të gjitha hapësirat e bankave. Pra, në bibliotekë është e normalizuar që në momentin që ju ngriteni nga vendi juaj dhe shkoni në tualet apo për ta blerë një shishe ujë, dikush tjetër në sallë mundet lirisht t’ju marrë karrigen tuaj dhe pasi që të ktheheni ju duhet t’ja merrni dikujt tjetër që nuk është prezent. Fenomen në vitin 2022.

Probleme si këto ka ende, por, emëruesi i përbashkët i të gjithave është vetëm një:

PASIVITETI I STUDENTËVE.

Ndjenja e inferioritetit të studentëve ndaj profesorëve, mos guximi ta kërkosh të drejtën tënde, frika se “mos po nervozohet profesori”, gatishmëria që të reagohet vetëm për shtyerje të afatit të provimeve janë disa prej cilësive që i karakterizon studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Derisa vet ne si studentë nuk bëjmë vetëkritikë, nuk marrim guxim të mos ju nënshtrohemi burokracisë së pseudoprofesorëve dhe përderisa fokusohemi në probleme afat shkurtra si çështja se “A shtyhet edhe për 1 javë afati a jo?” atëherë ne i meritojmë të gjitha maltretimet që na bëhen nga individë parashutistë, të pamerituar që sot e kanë deformuar titullin e të qenurit profesor universitar. Normalizojeni që të reagohet për probleme që nuk e prekin vetëm një gjeneratë akademike, por, të luftohet për mirëqenien akademike edhe të gjeneratave më të reja, e kështu gjeneratë pas gjenerate mund ta krijojmë një ambient ku profesori/ja i/e paaftë profesionalisht të mos ndihet i/e sigurtë. Të bashkuar mund të ja dalim.

Nga: Shpetim Ferizi, student në Universitetin e Prishtinës