GJENERATË AJROKREMASH
Politizimi i skajshëm i përfaqësuesve studentor ka ndikuar fuqishëm në depolitizimin e studentëve e heshtjen e tyre ndaj secilës padrejtësi me të cilën përballen gjatë studimeve, kështu duke kontribuar drejtpërdrejtë në thellimin e problemeve.
Regjimi serb nuk i ndaloi studentët të merreshin me politikë, por si asnjëherë më parë lëvizjet studentore u aktivizuan për autonominë e Kosovës, një Universitet në gjuhën shqipe e kundër regjimit.
Kur kërkesat e demonstratave të 1968-ës u plotësuan, e Universiteti i Prishtinës u themelua, në mars të vitit 1981 studentët u organizuan duke protestuar për kushtet e këqija në mensë. Në fund të muajit mars, në protestën e dytë, numri i studentëve u dhjetëfishua, kështu nga 400 protestues në 4000 sosh, e në 400 mijë protestues nga të gjitha trevat e Kosovës në njërën nga protestat e organizuara në vitin 1989. Pas ca muajve, shkollat filluan të mbylleshin, poashtu spitalet e tortura vazhdoi, por studentët asnjëherë nuk heshtën, kështu në vitin 1997 u protestua për lirimin e objekteve universitare, ku organizuesit përfunduan prapa grilave.
Ndërsa sot, ne jemi dëshmitarë të heshtjes së studentëve. Për studentët, a janë të rëndësishme studimet të cilat ofrohen në një shtet demokratik, apo vetëm “shteti demokratik” merr vëmendjen e tyre e gjithçka tjetër konsiderohet si e mirëqenë- kjo osht’ çështja.
Më 10 qershor, Universiteti i Prishtinës organizoi zgjedhjet studentore. Asnjë detaj teknik i këtyre zgjedhjeve nuk ka rëndësi, e rëndësishme osht’ ‘planprogrami’ që secila nga organizatat e ofroi. Nëse ndonjëra nga to ofroi diçka, përveç premtimeve boshe e të kota që nuk varen nga to. Kryefjalë e kishin dixhitalizimin, qe besa edhe si konstantë e krejt planprogrameve 4-5 faqëshe që i prezantuan në rrjete sociale.
Asnjëra nga to nuk tha asgjë, as edhe një fjalë për plagjiaturën e profesorëve e studentëve, literaturën (lexo: sllajdet e vendosuna në SEMS) e varfër e dembelinë e profesorëve (mos mbajtja e kollokviumeve, mos përmbajtja e syllabusit, përsëritja e provimeve në secilin afat). Asnjë fjalë nuk u tha për aftësitë të cilat i fitojmë, e as që përputhen me tregun e punës. Asnjë fjalë e vetme për ngacmimet seksuale për të cilat secili prej nesh jemi dëshmitar çdo ditë. Rregullorja e miratuar nga Këshilli Drejtues i Universitetit osht’ aq pak e promovume saqë studentët nuk janë as në dijeni se ekziston një e tillë.
Organizatat studentore që janë të lidhura ngushtë me partitë politike, nuk mund t’i adresojnë problemet e lartë-cekura kur janë bashkëfajtor të gjendjes së krijuar e asgjë më shumë se kalkulantë votash.
Historikisht, aktivizmi studentor ka qenë forcë vendimtare për ndryshimet shoqërore. Heshtja e studentëve joaktiv e politizimi i skajshëm i organizatave studentore, osht’ i paprecedentë dhe shumë i dëmshëm për Universitetin në veçanti e për shoqërinë në përgjithësi.
Deri në një organizim të mirëfilltë studentor, që kërkon ndryshime radikale në secilën hallkë të Arsimit, e bllokon secilën derë të objekteve, deri në arritjen e qëllimeve, mbetemi asgjë më shumë se gjeneratë ajrokremash- unë bashkë me ju!
Nga: Anita Mjeku, studente në Universitetin e Prishtinës