Gjenitë akademike
Studime në shekullin XXI:
Në jetë nuk harrohen dy lista me emra:
- Pranimi në universitet
- Pranimi në punë.
Këto dy lista nuk harrohen, nuk përjetohen shpesh, gjithsesi dy konkurset kanë kritere të larta për përzgjedhje. Sepse, në konkurs renditen kriteret më të larta që ti mund t’i arrish deri në moshën 30 vjeçare, pra është një punë e gjatë dhe me sfida, por duhet të luftosh!
Sidoqoftë, vazhdojmë nga lista e pranimit:
U pranova në universitet publik. Shkoja në ligjëratat e para. Takimi me kolegë ishte një distancim normal, pa u vërejtur, ishin njerëz të rinj. Gjithçka filloj sipas sistemit universitar të paluajtshëm për shumë vite e dekada. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Askush nuk gabonte në mbajtjen e rendit sipas sistemit. Çdo gjë fillonte me rregull dhe përfundonte ashtu. Momenti emocional, i përzier me frikë dhe kureshtje, (jo mëshirë, mos të dalim te katarsisi) ishte takimi me stafin akademik, gjegjësisht, profesorët dhe asistentët e departamentit. E përmenda frikën? Po, frikë. Përballë nesh qëndronin njerëzit më të ditur, për ne nuk kishte pasur më parë persona që kishin njohuri dhe informacione për librat, për politikën, për sistemin shoqëror, për botën, për shumë gjëra, edhe pse shumë gjëra i përmenda, këto mjaftojnë për të qenë shumë i aftë.
Adaptimi dhe pranimi i çdo gjëje rreth studimeve është një shtysë e madhe për të përballuar gjithë sfidat brenda kësaj bote gjeniale. Po, po, gjeniale. Nuk është e lehtë të lexosh më shumë se 200 libra, të bësh studime, besa, besa, të shkruash edhe libra vetë. Por, është e kuptueshme, që ne si student nuk kemi të drejtë sa herë japim mendimin për një çështje. Natyrisht që jo, ne kemi kohë për të arritur këtu, na duhen +190 libra për lexim, +100 libra për studim, dheee pastaj vjen reagimi dhe mendimi kritik që një profesor, asistent/e ta pranojë si mendim solid. Është edhe çështja tjetër, se për të dhënë një mendim asistenti/asistentja, jep përparësi, po, një përparësi: vetë studentët në klasë duhet të lexojnë, të japin mendim, dhe në fund vjen vënia e pikës nga i shumëdituri/ra, për domethënien kryesore në lidhje me çështje të caktuara.
Krijimi i një mendimi kritik:
Nëse nuk lexon, mendimi yt nuk vlerësohet. Kjo është më se e drejtë. Nëse lexon dhe mendimi yt nuk është në përkufizimet e gjeniut, nuk ke të drejtë, duhet të rifillosh të mendosh ndryshe. Kështu filluan edhe ata, krijuan sipas përkufizimeve mendime kritike të asociuara në libra shkencor. Me këtë mund të krijosh parulla: STOP KRITIKËS SË LIRË! Vazhdim: Përmbaju përkufizimeve!
“Mendoj se filan autori idenë e tij e ka filluar me këtë qëllim dhe ka këtë kuptim….”-, ishte një përgjigje e imja në lidhje me një tekst. Unë kisha gabuar aty, sepse isha në fillim të studimeve, natyrisht, isha e papërgatitur. – “Emmm, jo, jo, nuk është kjo. Sepse, teksti tregon diçka tjetër, një ide tjetër, duhet një përkufizim më i qartë…”-, ishte përgjigjja e ‘gjeniut’.
Kërkesë:
Mos krijoni mendime personale, ato të dërgojnë në rrugë të gabuara. Mos u largo nga përkufizimet. Lexo, mendo, vepro!
Nga: Albulena Krasniqi, studente në Universitetin e Prishtinës