“Integriteti akademik? A na keni mësu najher për to?”
ORCA ka inicu formimin e klubeve të etikës në fakultetet e Universitetit të Prishtinës edhe studentave fillimisht iu është kërku me marrë pjesë me nji trajnim. Kur e pashë postimin thashë ma në fund erdhi dita me e mësu se çka është integriteti akademik! Nejse, unë për veti e disha po po thom për tjerët.
Jemi mësu na sa herë të përmendet integriteti akademik me thonë “Plofesolat, plofesolat! Plagjiatula, plagjiatula”. Eh, klubet e etikës janë formu me e pa që edhe na jemi pjesë e integritetit akademik. Edhe na mundemi me u përfshi në rritjen e cilësisë në arsim – prej pjesëmarrjes në trajnime e deri në mbajtjen e diskutimeve e aktiviteteve për vetëdijësim të studentave rreth dukurive negative që ndodhin në Universitet. Me ja nisë krejt m’i pa studimet si proces i rëndësishëm e jo me u lutë m’i kry sa ma shpejtë!
Mos u demoralizoni, nuk është aq e komplikume sa duket. Për shembull, duke parë që profesorët kanë dhjetëra mentorime brenda nji viti, ne kemi shprehë gatishmëri të bëjmë kontrollimin e temave të diplomës. Tash na eksperta nuk jemi, po të paktën nji herë mundemi me i lexu prej fillimit deri në fund. Kjo besojmë që do të ulë dukshëm numrin e diplomave të blera (edhe pse kjo mundet me ndiku negativisht në ekonominë e Kosovës). Në meny kemi edhe metoda të tipit “tap-rrap” për zgjidhjen e problemeve. Nëse e sheh kolegun tu kopju – me telefon, sllajde apo edhe me shishe të ujit – nisja kollitu shumë edhe bonja me sy profesorit ka kolegu që po kopjon. Kështu edhe kolegu s’tu idhnohet edhe i ke punët mirë me profesorin edhe ndikon në rritjen e cilësisë në arsim mbi të gjitha.
Profesorave… Nejse këtu s’kemi hala diçka konkrete ama besojmë që mundemi me mbërri nji marrëveshje me Këshillin e Etikës që secili profesor që ka bo plagjiaturë me pasë detyrë shtëpie me shkrujt në fletore 100 herë “Unë nuk bëjë më plagjiaturë!” Ndoshta edhe naj thupër duarve, s’ish konë keq… E di, e di, a rrehet institucioni Artë? Po na s’marrim vesh ndryshe bre! S’e kanë pasë keq kur kanë thonë që dajaku prej xhenetit ka dalë.
Normal që anëtarësimi në klube të etikës i ka edhe benefitet e veta. Ma s’pari, nëse ti i monitoron të tjerët, s’ka kush të monitoron ty. Besojmë që me kalimin e kohës do të fitojmë të drejtën edhe me regjistru studenta e me hi në provim për njoni tjetrin. Na si njerëz etik duhet me i ndihmu njoni tjetrit. Pse, çka kanë organizatat studentore ma shumë se klubet?
Prandaj, për me mësu ma shumë rreth integritetit akademik edhe me u çu me bo diçka e mos me nejt veç tu u anku, hajde në klub të etikës. Krejt çka ju duhet është me qenë njeri shumë etik, sypatrembur dhe largpamës (literalisht). Po ju lë me fjalët e Marin Barletit “Habetis bona deum!”
Artë Prebreza