mendoj

KRIMINALITET NË HESHTJE (Për jetën universitare)
28/07/2022

KRIMINALITET NË HESHTJE (Për jetën universitare)

Ndjeja keqardhje nga vetja, tek e fundit nuk e parafytyroja që edhe për trajtimin jo të barabartë në disa situata që mua më dërrmonin, e mbaja veten si peng nëpër korridoret të cilat përcillnin manipulime, ngatërresa fjale, dokumente të pavlera, zyre me sirtar të mbuluar nga pluhuri i harresës së kujdesit për to, salla të mbushura me njerëz që mendjet nuk i kishin me vete… arrija të vëzhgoja e të mendoja në heshtje, kështu heshtja vret, pa zë. Një ditë e ndjen se të gjithë shohin vetëm çështjet mbi interesin e tyre, pa bërë zhurmën më të vogël edhe për shqetësimin e shkaktuar për ato qenie të cilat nuk dinë të ngrenë zë kur i drejtohet qortuesi, thjeshtë shprehja e fytyrës tregon një mohim të rëndomtë e të pa rëndësishëm për gjendjen e tymosur në boshllëkun e pambarimtë. Kur kuptova se edhe njerëzit që i mbaja gjithmonë afër vetes më lëndonin vetëm për t’ia arritur qëllimin e tyre të pavlerë, duke qenë në gjendje të më braktisnin në heshtje. Kjo heshtje mua më varte si në litar, nuk doja të më tregonin fytyrën e pabesisë. Nuk arrija ta perceptoja, ashtu nuk dëshiroja sepse nuk doja të besoja që një miku i imi më pati lënduar në sedër, aty në atë pikën ku më së shumë dhemb dhe pa zë… Dhe për cilën arsye idioteske ma bëri tërë kurthin për vëmendje budallallëku, mirëpo tani që po përballem me realitetin këto gabime të tëra besnikërie po më kthehen me shigjeta, mos më keq pa bërë zhurmë. E mua, mua më kaplonte heshtja.

Thënë të vërtetën të heshtja të rrija nën mburojën e saj më dukej më e sigurt. Nuk e di për çfarë sigurie saktë, por di se aty mbrohem më mirë nga ndikimet prej së jashtmi. Dhe kështu evitoja çdo parregullsi nga arsyetimi se me duhej mburojë për të luftuar me njerëzit që as nuk duan t’ia din fare për parimet e mija. Madje dhe për padrejtësitë që bënë edhe autoriteti më i lartë brenda institucionit nuk isha në gjendje te dilja e të protestoja deri ahere që të kuptohej se një grup mjaft i gjerë kanë të njëjtin problem.

Nuk e bëja, sepse nuk kishte asnjë rezultat prej asaj, madje edhe po t’ua rrënoje gjithë ndërtesën nuk përbënte dallim sepse detyrën e tij në thelb e kuptonte si dikush që dinte vetëm të zotëronte pushtetin e superioritetit, atë pushtet padrejtësie. Gjeja arsye e arsye me bollëk por arsyeja e vërtetë ishte se britmat tona në ato hapësira nuk i cenonin aspak në vendimmarrjen e tyre. Për të gjithë ishte synimi vetëm të siguronim pak mbijetesë sa për tu bërë ballë heshtjeve të marrosurve që pastaj të ulnin kokën dhe të bënin sikur ndjenin te njëjtën dhimbje.

Po cilën dhimbje mund ta ndjenin vallë? Ndjenjën e poshtërsisë mund ta kuptonin, ndërsa jo ato ndjenjat që të mbyllnin gojën pa mirëkuptim sepse të preknin në cakun më të ndjeshëm në zemër, nuk mund t’i kuptonin!

Dhe me gjithë këto fjalë që protestonin vazhdimisht brenda meje nuk kisha as forcën më të vogël t’i mbroja, ishte e kotë, kështu hiqja dore. Kjo zbrazje më mbushte me heshtje për ditët, muajt, e vitet që do të pasonin. Dhe kjo heshtje, ç ‘ndjenjë e poshtër të krijohet kur nuk ke si ta demonstrosh. Prandaj, gjerë më tani mbajta të mbyllur zërin i cili nuk pushonte brenda meje, për fatin e së cilit vendosa ta shkruaja se si arrijë të jem pjesë e shumë ngjarjeve/ incidenteve të cilat në vete përmbajnë rëndësi të formës së lartë, por ja që arrijë ti fsheh e në fund të fundit – llumin e mbetur ta hedh për ta lexuar bota, ku kjo e fundit është më e errëta mbi të gjitha errësirat kjo nuk ka mbarim.

 

Nga: Valeri Qatani, studente në Universitetin e Prizrenit