Ku ka zinxhir pa hallka?
Kurrgjë nuk e kam problemin me UP-në edhe profesorët çka e kam me kolegët studentë. Qe, po flas shlirë: studentëve “mirë po na bojnë”, meqë nuk po bëjmë zë, meqë po i lejojmë.
Në një ngjarje ku ishim mbledhë studentë të fushave të ndryshme, u afrova me folë me disa studente të artit në nivelin master. M’u zgju kureshtja edhe fillova me i bombardu ato me pyetje. Në bisedë e sipër fillova me u irritu prej asaj që e dëgjoja, e në anën tjetër ndihesha keq me reagu menjëherë. Mendoja: “Qysh…? Këto nëse e kanë pasë këtë problem gjithë këto vjet garant i kanë mendu krejt mënyrat që po don me ua tregu ti. Garant nuk ka funksionu kurrgjë. E nese nuk ka funksionu, pse janë këto hala aty?”
“Profesori nuk vjen”, më thoshin. “Na vonon notat e nuk na i vendos për plot afate”, tregonin. “Na shkojmë aty, nuk mësojmë kurgjo, e nuk kemi çka me bo”. Më tingëllonin si me qenë duke e shfajësu vetën. Prap mendoja: “Pse, Vesë, po thu që këto kanë faj a?” Tash po mundem me thonë që nuk jemi asnjëri student bash pa pike faji.
Gabimi i parë që e bëjmë, jo ndaj shoqnisë, jo ndaj universitetit, po ndaj vetës, është që nuk bëjmë zë, edhe ndoshta nganjëherë e drejtojmë gishtin nga nuk duhet. E drejtojmë nga ata që e krijojnë problemin (stafi akademik dhe institucionet) në vend se me e drejtu nga ata që munden me e kriju zgjidhjen (nga vetja). Në këtë mënyrë, edhe duke heshtë, jemi bë pjesë e zinxhirit përmes të cilit rrotullohen dhe forcohen gjanat e këqija që na ndodhin e na e shkatërrojnë përvojën studentore që duhemi me e pasë.
Vetë profesori që po na e shkatërron përvojën studentore është në të njëjtën kohë ai që na thotë, “Po unë, more, pa ju nuk jam e nuk kam asgjë”. Na thotë, “Unë ushqehna kur kaloj në korridor e ju shoh juve të shtangun prej tutës. Qasi respekti e du”. Secili profesor, për shkak se është njeri, jo për ndonjë arsye tjetër, meriton respekt. Po a këso respekti të imponuar, a?
E qe, profesor, që pa mu je kurrgjë, nuk po të shtangna, nuk po të respektoj në atë mënyrë. Po bohna pasqyrë kur e shoh llojin tënd, që ta shihni edhe ju të vërtetën. Po t’i numëroj pasiguritë duke fillu nga ato profesionale e personale, e po të zhveshi prej faktorëve që ty para nesh të bëjnë të fuqishmin. Në pasqyrën time mundesh me pa veç formën tënde ma irrituese, formën tënde të vërtetë që na e shohim çdo ditë e s’kemi qysh me e ndryshu. Irritohu edhe ti prej saj.
Për me u shndërru në këtë lloj pasqyreje, mu më duhet me mësu shumë, e me e dashtë fushën time të studimit ma shumë se që e du veten, ma shumë se që e du rehatinë financiare, e ma shumë se që i du njerëzit që më rrethojnë te të cilët shpesh më reflektohet frustrimi. Qysh na tha Shkëlzen Gashi një ditë, “Studentët për me e kritiku profesorin duhet të dinë shumë”. Për me ditë, për me u bo pasqyrë, duhet kohë, energji, edhe kushte, e profesorët e shfrytëzojnë për keq faktin që jo të gjithë studentët i kanë këto.
Po qe se gjatë jetës, si shumë studentë e studente, unë jam shtypë në shkollë, jam shtypë në shtëpi, në rrugë, në shoqni, në dashni, e kudo tjetër, pranoj me u shtypë edhe tri/katër vjet prej profesorit që në fund me e fitu një lloj lirie. E çfarë dreq lirie qenka kjo? Kurrfare. Nuk ekziston hiç.
Shtypja është një cikël, një zinxhir, që nëse nuk këputet në fillim (fillimi le të jetë momenti kur e vërejmë që po shtypemi) nuk ndalet më kurrë. E besa kurrkush nuk ka me e këputë zinxhirin për mu, nëse nuk e bëj vetë. Nëse e këpusim secili për vete, profesorit nuk i mbetet gjë veçse pjesët e tjera të biçikletës. Zinxhiri i këputun nuk riparohet nëse është këputë në hallkën e secilit student, të gjithë 25,629 studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Po i ndaj me ty, shok/shoqe e UP-së, fjalët që ia kam thonë vetës në momentin kur e këputa hallkën time. “Jepja vetës dijen që profesori ta ka borxh, mbroje vetën me fishekët e plumbave që ai i gjuan në ty, e merrja pushtetin edhe respektin që ai e ka përvetësu padrejtësisht. Mos e lejo me mungu në ligjeratë –ti mos ia jep kohën tënde që me ta humbë. Mos e lejo punën tënde të mos vlerësohet –dërgoje tjetërkund punën për vlerësim. Mos prit respekt prej tij –respektoje vetën në mënyrë dinjitoze dhe mos prano kurrgjë ma pak”.
Përndryshe, për sa kohë që ne e rrotullojmë zinxhirin me duart tona, përderisa heshtim, përderisa i lejojmë, “mirë po na bojnë”.
Nga: Vesa Ferizi, studente në Universitetin e Prishtinës