mendoj

Leonidi socialist i MAShT-it
01/11/2019

Leonidi socialist i MAShT-it

Gramos Bucinca

TD #6

Zt. Shyqiri Bytyqi ishte ministër i Arsimit, në kohën kur arsimi në Kosovë u përballë me telashe të mëdha: greva destruktive e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës; shkarkimi i të gjithë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë nga Kryeministri – gjest ky që e përjashtoi Kosovën nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë; dhe akuza të profesorëve për cenim të autonomisë pasi që u vendos standard për definimin e publikimeve shkencore në nivel vendi. Ministri po ashtu u ballafaqua me shantazhim nga mashtruesit, pronarë të kolegjeve private që iu hoq akreditimi, si dhe me shumë probleme të tjera brenda ministrisë.

Ndonëse disa nga këto beteja ende vazhdojnë, në shumë prej tyre z. Bytyqi korri fitori Pirrike. Pra fitoi, por mbeti i shpërfillur nga partia e tij, NISMA, e cila jo gjithmonë mbrojti cilësinë në arsim. Kjo paevitueshëm erdhi deri tek dorëheqja e tij nga kjo parti, gjë që e çliroi atë t’i shpreh bindjet e veta me elokuencë. “Të shumtë do jenë që do e tumirin dorëheqjen time dhe po ashtu të shumtë do jenë që do ngatërrohen në hilen se unë nuk erdha ta bëja ministrin e Arsimit nga pesha reale brenda partiake, por nga koniunktura në hirin e një shkolle të cilën e trashëgon tashmë ish kryetari i partisë ku militoja deri sot.” dhe “E majta që jeton në mua po aq sa ishte bindja ime tashmë është bërë edhe rrugëtimi im angazhues!” – shkroi ndër të tjera z. Bytyqi në letrën e dorëheqjes së tij.

Mbase edhe do ta kurseja nga ajo që do të them në fund po që se ai nuk do t‘shkruante: “…unë nuk e shoh të udhës të vazhdoj atje ku duhet ta bëjë bashkëspartanin me gjithë ata që çdo ditë duhet ta mbrojnë partinë nga gabimtarët e brendshëm!”. Kjo fjalë “bashkëspartanët”, e pa lexuar ma herët, m’ngacmoi pak.

Qëndresa e spartanëve kundër persëve dhe mënyra e thjeshtë por e virtytshme e jetesës së tyre ishte aq legjendare sa influencoi njerëz dhe lëvizje të të gjitha ideologjive. Kush mundet me harru mbretin Leonidas, që kur njoftohet se persët kanë aq shumë shigjetarë sa do ta bllokojnë Diellin tha: “A s’do të ishte më mirë po të luftonim nën hije?”, gjersa me 300 luftëtarë spartanë në Termopile, priste pa shpëtim qindra-mijëra sosh persë. Sokrati, Aristoteli, Machiavelli, Rousseau e Adams mendonin se shoqëritë ku jetonin ata, do të ishin më të mira po ta merrnin si shembull Spartën. Revoulcioni francez që e ndryshoi tërësisht sistemin politik në botën perëndimore, qe ndikuar prej këtyre mendimtarëve lakonofil (kështu quhen adhuruesit e Spartës antike). Makineria shfarosëse e Gjermanisë Naziste përdori shembullin se si 6 mijë qytetarë vendas spartanë,  racë e pastër, kontrollonin mbi 300 mijë Helotë skllevër. Pra, lirisht mund të themi se këto përdorime të lavdisë së Spartës, e definuan historinë e botës perëndimore të paktën. (shënim i redaksisë: “Ani Gramos ani”)

Andaj kur përdoret Sparta kundër partisë Nisma Social Demokrate e Kosovës, qare nuk ki pa u shtri tu qeshë. E kjo e qeshmja t’bëhet vaj, në momentin që e kupton se intrigat brenda një partie pothuajse të papërfillshme dhe në Kosovën modeste, një ministri të shtetit i duken si beteja spartanësh.