Lëvizja për Universitetin – Tiranë
Lëvizja për Universitetin është themeluar në vitin 2014 nga një grup i studentëve dhe profesorëve me orientim të majtë. Kjo lëvizje nisi me kundërshtimin ndaj reformës për Arsimin e Lartë, reformë kjo e filluar nga qeveria Berisha e vazhduar më pastaj nga qeveria Rama.
Lëvizja për Universitetin kritikoi ashpër Reformën për Arsimin e Lartë duke gjykuar procesin si jo legjitim dhe përmbajtjen e projektligjit si shkatërrimtarë për universitetet publike.
Kritika dhe kundërshtimet ndaj Reformës
Reforma për Arsimin e lartë u zhvillua prapa shpinës së publikut. Në komisionin e themeluar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për hartimin e Reformës, në përbërjen e tij nuk gjeti vend askush nga universitetet publike. Por, në hartimin e saj u kujdes lobi i fuqishëm i universiteteve private të lidhur me politikën dhe mediet për të ndikuar përmbajtjen e ligjit, sidomos pjesën e financimit. Reforma që nga fillimi ishte një proces jo transparent dhe arbitrar. Komisioni për hartimin e Reformës kurrë nuk e solli projektligjin në diskutim publik për studentët dhe stafin akademik. Kështu, qeveria dhe ministria, përmes këtij komisioni dhunoi lirinë akademike dhe autonominë e universiteteve publike duke i shpërfillur ato.
Me anë të kësaj Reforme universiteti u vendos në kontroll qeveritar. Kjo gjë u mundësua nga Bordi i Administrimit si organi më i lartë administrativ i universiteteve publike. Bordi Administrativ do të kishte fuqi vetoje për krejt financimin dhe një pjesë të konsiderueshme të administrimit të jetës universitare publike. Në pothuajse të gjitha universitetet publike, shumicën e këtij bordi do ta përbëjnë përfaqësuesit e qeverisë (raporti 4 me 3 për qeverinë).
Me anë të kësaj Reforme, universitetet private do të financoheshin nga buxheti i shtetit për siç thotë ligji “kërkime shkencore” dhe për “bursat e ekselencës”. Kështu, buxheti publik edhe ashtu i varfër e i pamjaftueshëm për nevojat e arsimit të lartë publik do të ndahej edhe me universitetet private. Kjo me automatizëm nënkupton që universitetet publike do të kenë gjithnjë e më pak para. Dhe kur fondet do të pakësohen edhe si rezultat i financimit sipas përformancës, universitetet publike në mënyrë që të sigurojnë ekzistencën do t’i rrisin tarifat për studime në kurriz të studentëve. Konkurrimi midis universiteteve publike dhe atyre private do të prodhojë një situatë ku universitetet më të dobëta do të financohen më pak dhe, për pasojë, do të kenë tarifa më të larta studimi. Këtu gjendet paradoksi i një universiteti të keq dhe të shtrenjtë. Kësisoj qeveria në vend që t’u kërkojë llogari drejtuesve universitarë për cilësinë e studimeve, do t’i shtyjë universitetet publike drejt falimentimit dhe mbylljes.
Pjesëmarrja studentore në vendimmarrjen universitare është një tjetër shqetësim. Sipas Reformës studentët s’do të kishin ndikim vendimmarrës. Përqindja e lejuar (10% e votave në zgjedhjen e dekanëve dhe rektorëve) është jo vetëm e papeshë në raport me të tërën dhe numrin e studentëve, por edhe më e ulët se niveli aktual i të drejtave të tyre zgjedhëse (20%).
Për të kundërshtuar miratimin e reformës e pastaj edhe zbatimin e saj, Lëvizja u angazhua që nga ditët e themelimit. Lëvizja dhe aktivistët e saj shkruan me qindra shkrime, prodhuan dhjetëra analiza e kritika. Organizuam me qindra takime e tubime me studentë. Organizuan peticione, aksione simbolike, bllokime fakultetesh dhe protesta. Lëvizja u angazhuan edhe për luftimin e korrupsionit në universitete duke demaskuar profesorë që shisnin libra e provime. U angazhuan për kushte më të mira jetese në konvikte, kundër ngacmimeve seksuale dhe kundër burokracisë së administratës nëpër fakultete. Lëvizja ishte edhe atje kur protestohej për parkun e liqenit. Ishte edhe aty për të kërkuar drejtësi për Arditin e vrarë në Landfillin e Erion Veliajt. Prandaj, dhjetori i këtij viti nuk është befasi. Është rezultat i angazhimit të palodhur dhe konsistencës për këto katër vite. E kur më së paku e prisnin siç ndodhë zakonisht, plasi revolta e studentëve.
Dhjetor i shpresës – shpërthimi i protestave masive studentore në Tiranë
Protesta e studentëve filluan si reagim kundër një vendimi të qeverisë i njohur atje si “VKM”. Ky vendim parashihte që për çdo provim të bartur studentët do të paguanin një shumë të caktuar të hollash. Varësisht prej kredive që kishte lënda, pagesa do të sillej deri në 30 euro për një provim.
Protesta filloi me 4 dhjetor 2018 nga studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës. Protesta nisi para godinave të fakultetit për të vazhduar më pastaj para Ministrisë së Arsimit. Studentët kërkonin anulimin e VKM-së dhe uljen e tarifave për studim. Protesta vazhdoi duke u masivizuar dhe revoltës së studentëve të Arkitekturës ju bashkuan edhe fakultetet tjera me radhë. Që në ditën e tretë të protestës, qeveria në panik anuloi VKM-n. Por, tashmë ishe vonë për të kënaqur studentët. Protesta sa shkon e masivizohet. Asaj i janë bashkuar qytetarë nga shtresa e profesione të ndryshme. Që nga gjimnazistët e deri te pensionistët. Protestat kanë filluar edhe në qytete të tjera universitare. Protesta ka shtruar tetë kërkesa për të cilat nuk pranon kompromis e as negocim. Për to do të protestohet deri në realizimin e tyre.
Kërkesat e tyre janë:
- Shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë, si pikënisjen nga ku do mund të rinisë reformimi i vërtetë i jetës universitare, bazuar në lumin e kërkesave të artikuluara nga masa studentore.
- Dyfishimin e buxhetit të shtetit për arsimin e lartë. Nëpërmjet tij do të siguroheshin: përmirësimi i kushteve të jetesës në konvikte, pasurimi i bibliotekave, zhvillimi i kërkimit shkencor, zgjerimi i mjediseve universitare dhe i stafit akademik etj. etj… lista është e gjatë.
- Arsim publik falas në të gjitha nivelet si themel i studimit sipas meritës.
- Reformimin e vërtetë të jetës universitare mbi bazën e parimeve të demokracisë brenda universitare: krijim i një asambleje universitarësh, të zgjedhur me votë të barabartë studentësh dhe pedagogësh në çdo fakultet universitetesh publike.
Përkundër sulmeve dhe obstruksioneve qeveria dhe partitë opozitare përmes forumeve rinore dhe këshilleve të studentëve, studentët bashkë me Lëvizjen për Universitetin po shënojnë fitore ndaj propagandës anti-protestë.
Protesta vazhdon përmes bojkotit.