Lëvizja Studentore për Përjashtimin e Foreve të Lodhta
Si student i ri në UP, normalisht jam kureshtar të njihem me procedurat formale se si trajtohen në universitet në tansi. Sipas t’nimeve nga disa studentë që janë neglizhuar kohëve të fundit, kam arkivu disa përshtypje t’tyne direkt te profesori. Më e randsishmja ka pas qenë “EFL”, ndryshe e njohur si Eksperienca e Forës t’Lodht. Para se me fillu artikulimin mbi idenë e lëvizjes kisha pas fort qejf me i citu disa nga fjalët e një tipi që kishte ardhë nga e ardhmja. Ai më kishte pas thanë: “Ruajuni nga foret e lodhta!”.
Lëvizja Studentore për Përjashtimin e Foreve të Lodhta ka kauzë më të madhe se lëvizjet tjera në përgjithësi. Ne duam me e ndalu papunësinë dhe nepotizmin me anë të metodave tona si lëvizje aktive. Nuk jam zëvendës ministër i Ministrisë së Bujqësisë që të ndërlidhi një zinxhir siç duhet, por do provoj që me disa argumente të iu bindi edhe juve.
Forja e lodht sjell Demoralizim, e ky i fundit Papunësi.
Studentët si viktima të EFL-së në 5-minutëshin e fundit të ligjëratës vuajnë nga nevoja për ta sfidu intelektin e tyne me procesin e mundit për ta kuptu ontologjinë e forës. Forja e lodhtë, të gjithë e dimë se nuk ka kurrfarë mbështetje konceptuale. Studentët demoralizohen nga ky akt aq barbar dhe lënda e atij profesori jo të kompletuar i del për hundësh. Kështu ky student nuk vazhdon ta ndjek si më parë ligjëratën dhe lëndën në përgjithësi. Me këtë hap studenti nuk e përmbush synimin e programit të degës që po e studion. Pa i ndjekë të gjitha landët ai nuk mundet me marrë diplomën e i shkreti përfundon tek shtëpia pa diplomë e i papunë. PSE? Për shkak të foreve të lodhta.
Me mbledhje e diskutime me bashkëpunëtorë kompetent të lëvizjes, i kemi përgatitë disa metoda për kauzën tonë si lëvizje. Ndër to janë:
Komediani i Popullit
Ky aksion simbolik përfshin një komedian me një copë letër dhe një mikrofon. Këtij komediani ia kemi lanë emrin Komediani i Popullit. Ky njeri aq paqedashës ka me dalë nëpër kampus universitar me një listë të foreve të përzgjedhura dhe ka me i recitu para studentëve dhe kalimtarëve. Kjo audiencë do të mbarësohet me fore të qëndisura aq bukur.
Revista Studentore – Forja
Forja ka me qenë një revistë mujore e cila boton foret që kanë qarkullu ma së shumti në Universitet. Qëllimi i saj është që të mësohen fore kualitative, por gjithashtu me zbulu cili është studenti që me krijimtarinë e tij përpilon fore siç e ka falë Zoti, i cili pastaj shpërblehet.
Sheqera me fore
Si popull kafedashës ne do të marrim iniciativën për ridizajnimin e ambalazhit të sheqerave që na i qesin në tabëll të kafes. Ambalazhi do jetë i përbërë nga dyja anët me fore në mënyrë që populli me i lexu dhe me u mbarësu me fore kualitative.
Qendra për Zhvillimin e Karrierës Foristike
Profesorët dhe ata që kanë tendenca që të marrin titullin prof. duhet ta mbarojnë trajnimin 3 mujor obligativ për tregimin e foreve. Profesorë që posedojnë sa t’dush punime shkencore nëpër revista nuk do të merreshin parasysh nëse nuk janë çertifiku nga Qendra për Zhvillimin e Karrierës Foristike.
STOP AGjShBN!
Ne kemi kriju edhe listën e foreve të dyshimta të cilat duhet të ndalohen edhe me ligj. Ato janë të gjitha foret që për protagonistë i kanë ndonjë nga personazhet: Amerikani, Gjermani, Shqiptari, Bjondina dhe Nastradini.
Medalja presidenciale “Urdhëri i Fores Vjetore”
Presidenti aktual do të përzgjedhë disa fore origjinale që prodhohen gjatë vitit dhe autorët e tyre do t’i dekorojë me “Urdhërin e Fores Vjetore”. Po ashtu presidenti çdo vit do ta lëshojw dekretin e foreve të lejuara për përdorim. Presidenti nuk ka më nevojë që të “shkruajë” autobiografi për ta krijuar një imazh, por vetëm fore.
Krejt këto hapa do të ndërmirren për ta arritur një gjë: ta ndalojmë nepotizmin në Universitet. Si? – mund të pyes ndonjë nga ju.
Nëse Profesori aksidentalisht do ta lëshonte një fore të lodhtë, normalisht nuk do të shpërblehej me qeshje spontane nga studentët. Por nëse ndokush nga studentët ka bërë intervenca apo ka hy me të njofshëm në universitet ndihet si borxhli dhe fillon të qeshë. Në mënyrë automatike ne do ta kuptonim se kush është pranuar me forma nepotike.
E njëjta mund të bëhej edhe në anën e kundërt. Studentët e lëvizjes sonë do ta merrnin fjalën për ta thënë një fore, dhe studentët tjerë do ta provokonin profesorin duke qeshur. Nëse ai nuk ka ndjekur trajnimet, ai nuk do të dijë ta dallojë se kjo është një grackë dhe do të qeshte. Dhe ja, nepotizmi bëhet e kaluara e palavdishme e universitetit.
Forja e lodhtë është burimi i korrupsionit në shoqërinw tonë. Heqja e fores së lodhtë, shëron shoqërinë kosovare nga korrupsioni.
Indrit Ferati, student i vitit të parë në Fakultetin e Arteve