mendoj

MBI SHKOLLËN, TË PASHKOLLËT
07/03/2021

MBI SHKOLLËN, TË PASHKOLLËT

Alisa Rashiti, studente e vitit të dytë në Universitetin “Hasan Prishtina” 

“Zëvendësministri i emëruar është Driton Bardheci. Ky i fundit vie nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkohë vazhdon studimet në Universitetin e Prishtinës”, është lajmi që mbuloi për pak orë ballinat e portaleve te ne. Mirë thashë, ndoshta ky do t’i ketë më të freskëta telashet që kanë studentët. Aq larg sa prej problemeve, me gjasë zëvendësministri ynë po qëndronte edhe me vet rezultatet e tij në studime. Nota e tij mesatare prej 6.8 nuk shpërfaqte shumë optimizëm te audienca e gjerë. 

Megjithatë, ndoshta ishte thjesht mendim fillestar; po gjykonim thuajse notat paraqesin vlerën reale të njohurive në universitetin më të madh publik në Kosovë. Por zëvendësministri ynë student, shumë aktiv s’u pa as në pozitën e tij të re. Përveç një arsyetimi për emërimin e tij, një heshtje varri mbizotëroi sot e asaj dite. Mediat e zhurmshme, ranë në gjumin e arushës, pasi që si gjithmonë, në vendin tonë të rëndësishme janë vetëm lajmet bombastike.

E ndoshta qetësia e tij erdhi për shkak të zhurmës në vendin e ri të punës. As aty nuk ishte gjithçka në rregull. I pari i institucionit ku ai është punësuar, ministri Ramë Likaj ka kohë që akuzohet për plagjiaturë. Por ç’rëndësi ka, rendi e do që ministritë të ndahen mes partnerëve të koalicionit, në mënyrë që askush të mos ngec pa një pjesë të tortës. Gjithçka po funksionon si duhet, karriget do të ngrohen, ndërkohë sistemi arsimor si gjithmonë është shkatërruar nga “të tjerët”. 

Epo ndoshta nuk duhet që t’i fajësojmë vetëm të mëdhenjtë, pasi që faji është zinxhiror, apo jo? Është Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, të cilin e mbani mend për shkak të kritikave të ashpra për cilësinë e arsimit në Kosovë. Apo, jo? As unë! Prej që mbaj mend, i njëjti kërkon ngritje pagash pasi që mësimdhënësit duhet të trajtohen në mënyrë më të dinjitetshme. Nga ky organizëm do të ishte “skandaloze” po të kërkonin përgjegjësi më të madhe për ata të cilët synojnë të edukojnë gjenerata të tëra.

Përgjegjësia është fjalë e panjohur shpesh edhe në institucionet e nivelit të lartë arsimor. Sipas raportit vjetor të auditimit, rreth 80 mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, kishin kryer edhe një punë sekondare, pa leje të institucionit që menaxhon punën e tyre- pra pa leje të Rektoratit. Mirëpo as kjo nuk ka rëndësi, sepse një rrogë më shumë do të thotë një jetë më të mirë, tek e fundit ç’rëndësi ka, nuk do të jetojmë 100 vjet.

Disi si të hutuar qëndrojnë në prapavijë ata për të cilët paguhet edhe ministri, zëvendësministri, mësimdhënësit e sindikatat. Nxënësit e studentët kurrë më parë nuk kanë qenë më të heshtur përballë kësaj gjendjeje. Por se janë të koncentruar në shkencë, nuk na do mendja pasi që sipas rezultateve të testit PISA, arritjet e tyre në këtë fushë nuk janë për lëvdata.

E tani ndoshta dikush do t’i shfajësojë profesorët, të tjerët ministrin, e të tjerë do thonë se fëmijët e tyre janë gjeni. Por nuk mund të ketë përmirësim të cilësisë së arsimit, kur të gjithë të lartpërmendurit nuk investojnë në veten e tyre, në arsimimin e tyre në mënyrë që këtij shteti t’i ofrojnë pak më tepër se injorancë.