Ngecja e UP-së në digjitalizim
Universiteti i Prishtinës është një ndër universitetet më me emër në të gjitha trojet shqiptare dhe një ndër qëllimet e tij është edhe arritja e nivelit ndërkombëtar. Kurse në anën tjetër një nga ngecjet e Universitetit të Prishtinës në krahasim me universitetet ndërkombëtare është në fushën e digjitalizimit ku UP-ja fatkeqësisht lë shumë për të dëshiruar.
Hapat e vegjël që bën UP-ja drejt digjitalizimit ndikojnë negativisht në cilësinë e arsimit, zhvillimin e studentëve dhe poashtu tërheqjen e studentëve të rinj. Vlen të ceket që në kohën e pandemisë kjo mangësi ndikoi shumë në mbarëvajtjen e mësimit dhe poashtu përgatitjen e studentëve për provime.
Duke mos u zhvilluar sa duhet në këtë aspekt vështirësitë që hasin studentët janë të shumta.
Njëra ndër problemet kryesore është mungesa e rrjetit wireless (wifi) vetëm për studentët në shumicën e fakulteteve ku disa prej tyre janë: Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyore, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti Filozofik etj. Mungesa e rrjetit penalizon studentët të shfrytëzojnë hapësirat brenda fakulteteve për të mësuar kur shumica e materialeve studentët i marrin online në webfaqe te ndryshme.
Mungesa e bibliotekave digjitale dhe akseseve në revista dhe burime elektronike është një problem serioz sepse e bën të vështirë gjetjen e literaturës dhe kjo ndikon negativisht në zhvillimin e mirëfilltë të mësimit.
Në mungesë të bibliotekës digjitale mund të shfrytëzohet sistemi elektronik (SEMS) i Universitetit te Prishtinës nga profesorët për dërgimin e literaturës së nevojshme dhe të bollshme për lëndët e tyre por kjo ndodh shume rrallë sepse nga profesorët e universitetit SEMS përdoret vetëm për vendosje të notave.
Meqenëse në Universitetin e Prishtinës gjenden programet studimore siç janë: Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Kompjuterike, Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me studentët e këtyre dy programeve mund të shkëmbejnë ide dhe të kontribuojnë në pjesën praktike për realizimin e projekteve drejt digjitalizimit ndërsa me ndihmën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të bëhet financimi i këtyre projekteve.
Nga: Arta Mulaku, studente në Universitetin e Prishtinës