Qysh me diplomu?
Entuziazmi i vitit të parë për studime ngadalë fillon me u largu, kur studentët e vërejnë që me shumë pak mund, munden me i përfundu provimet edhe me marrë nota shumë të mira.
Në vend të thellimit në studime duke lexu libra të ndryshëm të fushës, studentët zakonisht “mësojnë” nga skripta, që jo rrallë ofrohen nga vetë profesorët. Skriptat mund t’i gjeni në të gjitha fotokopjet përreth fakultetit të juaj.
E, kur ja nis provimi, profesori zakonisht s’është aty, e asistenti e monitoron mbarëvajtjen e provimit. Skriptën e sllajdet e ligjëratave të profesorit ndoshta s’ki mbri me i lexu, kështu që fillon mendimi kreativ i mënyrës së kopjimit.
Ndoshta e ki fatin që profesori/asistenti është në telefon gjithë kohën e provimit, e e nxjerr edhe ti telefonin për me kopju. Ndoshta veç i ki bo gati kopjet në formë të fletores, letrave në miniaturë të shkrume me shkrim shumë të vogël, ose edhe të printume në shishe të ujit.
Kryhen diqysh krejt provimet, e i vjen koha temës së diplomës. Mezi e gjen 1 profesor me të mentoru në temë të diplomës, edhe pse profesori i ka edhe 100 studentë të tjerë atë vit për mentorim. Ja kallëzon temën që po të pëlqen, e ai ta jep dritën e gjelbër për me shkru.
Normal, mentorimi nuk përfshin përpilim draftesh nga studenti, e komente nga profesori në këto drafte. Në temat e diplomës në UP ekziston veç 1 draft – i pari dhe i fundit.
Tash, pse me i jep zor me e shkru 1 temë diplome 30-40 faqe vet, kur profesori s’është tu e lexu hiç, e i ka 1 milion tema tjera me i “lexu”. Ja nis me i pyet kolegët që e kanë kry ma përpara me ta dërgu temën e tyne me u “inspiru” prej saj. Ndoshta s’gjen asnjë. Po mos u brengos, se ekzistojnë dhjetëra faqe në Facebook e në portale të shërbimeve që ta kryjnë temën me “çmim të arsyeshëm” e “profesionalisht”.
Veç me shkru “Temë diplome” në search të Facebookut mundesh me i gjet krejt faqet që e ofrojnë këtë shërbim prej 100-300 euro (mundesh edhe temë të masterit e doktoratës me e kry në të njëjtën mënyrë). E kontakton njërën prej tyre, edhe tema të shkruhet për shumë pak ditë, e dorëzon te profesori që e “kontrollon”. Mbrojtjen e bën pa ceremoni, 10 minuta, e merr 9-shen 10-shen, edhe urime, u diplomove!
Por koleg, a është ky qëllimi i ardhjes në universitet? A është ky qëllimi i rropatjes për vite të tana? A mbërrin ti në të vërtetë diçka për veti, e aq ma tepër për shoqninë tonë me kaq shumë nevoja?
Koleg, hiç dorë prej mënyrës së tillë të studimit, banu qytetar e student i njëmendtë, banu kritik e pjesëmarrës për me ndryshu realitetin.
Me respekt,
Redaksia e Tempullit të Dijes