mendoj

Shpella ime dritëpremtuese
19/02/2021

Shpella ime dritëpremtuese

Elegji Universitetit “Hasan Prishtina”
Nga Rina Cukaj 

Mua ende më kujtohen netët kur nuk flija padurim veç t’jem pjesë e gjirit tënd.
Kam ecë gjysmë dite veç me t’pa përtejë xhamit, aq e bukur m’je dukttë sa një muaj më herët pata zgjedhë çka të vesh për ditën kur do të takoheshim.
Aq t’kam ngritë e ndritë sa shpesh them,  ndoshta me kohën më është zbehë të parit mua jo drita ty.
Me futjen n’gjirin tënd kam mësu se disa dashuri mbesin dashuri veç nese s’jetohen. 
E unë, unë jetoj tu t’dashtë edhe kur dielli i dritës tënde m’përvëlon.
Sa më thellë që futem gjirit tënd aq më shumë e dua vetën që zgjodha këtë  rrugë si të vetmen urë drejt andrrës sime, edhe pse më të dashurit m’janë betu t’mos e bëj.
Nganjëherë për të jetu çlirimin që ta ofron vjellja fillimisht duhet t’helmohesh që të kuptojmë diçka të tillë nuk është se na duhen urtakë.
“Të Hasanovite” kështu na thrrasin shokët nga Kolegjet Private dhe sillen sikur kuptojnë nga mirësjellja mirëpritja dhe korrektësia që ofrohet brenda mureve t’Hasanit.
Por ta dijnë që shpella jonë ngjanë me miniera, vetëm se shpellarët tanë janë më të paditur se minatorët, por kush t’ju vë faj se? 
Gjithë ajo ngarkesë që kanë imagjino të kombinohej me dije, ç’komplikime do të sillte?
Prandaj lum si na për ata!
Punë e madhe që vendin n’shoqëri ta jep mbiemri, apo vendin e punës ta zë e e dashura e nipit t’prorektorit, kur pas ngritjes n’pozitë mbesa e dekanes me pretekstin se është rritë jetime  e zëvendëson.
Por prap të tregohemi të kuptueshëm, ne duhet të gëzojmë që kemi jetu në ditët kur mëshira konsiderohet avantazh.
“Jam nisë vrap, thy kambsh, përplasë dhëmbësh e  çelë varrë veç t’jem copë e gurit tand, teksa vjellë kam gjak secilën herë kur kam vendos me t’dashtë me zemër”
“O sa haherë jam nisë drejt teje barkthatë e shpirtplotë, t’kthehesha kokëkrisur e shpirtëplasun nga gjenitë tu, librat e të cilëve i kam lexu veç prej zorit”.
Kështu shprehen për ty shokët e bursës, kur pijmë birra në oborrin tënd mbrëmjeve gjat verës.
Unë nuk t’shaj kurrë, s’kam pse.
Shpesh ua zë marri të tjerëve pezmin ndaj sistemit arsimor aktual sikur të parët tanë nuk ranë që secili nga ne të jetë i diplomuar, titullngritur, dhe të mbajë nga 5 puna po qe i zoti.
Unë krejt çka konsideroj të shenjtë e jetësoj në andërr, mua andrra m’ka pru këtu, andaj shpellë më premto një gjë pos dritës një gjë të dytë t’lutem!
Nese një ditë ska rëndësi kur pra kurdoqoftë, n’ardhsha që t’groposë andrrën time n’ty, më guro! Ca gurë shpellash konsiderohen thesarë nga disa kokëkrisur, m’bëj gurë se s’kam andrra me t’falë!