Universiteti në proces
Kur patëm Universitet
Pas protestave të vitit 68 që aspironin të drejtat e barabarta politike me popujt e tjerë të Jugosllavisë, erdhi e drejta për universitet. Me themelimin e Universitetit, shoqëria kosovare po shënonte një fitore të jashtëzakonshme politike në kuptimin e arritjes së nivelit të subjektit federativ. Universiteti do të bëhej mjet çlirimi për të gjithë shoqërinë nga ai moment. Universiteti u lejua si kompromisi që mund të bëhej. Sistemi po lëshonte pe, ai po lëkundej. Universiteti u bë traktati i paqes ndërmjet sistemit dhe popullit.
Kur Universiteti u mbyll gjatë viteve 90-ta ishte shumë vonë për pushtetin shtypës. Ai ishte hapur njëherë e nuk ishte gjë që mund të mbyllej, sepse universiteti nuk është godina, por ideja; privimi nga godinat, dhuna sistematike, veçse po e mobilizonte e unifikonte shoqërinë për rezistencë. Universiteti dhe shoqëria u bënë një. Ato bashkë po e ndanin fatin, bashkë po e bënin fatin e ri. Në rezistencë, aty ku tashmë ishte e vetmja hapësirë për krijimin e lirisë, e vetmja hapësirë lirie.
Kërkesat në dukje parciale për liri akademike, për lirimin e hapësirave universitare ishin vetëm manovra taktike të forcave progresive të studentëve me profesorët e tyre. Ngjizja e tyre me interesin e shoqërisë ishte e thellë dhe e pandashme. Kështu ishte edhe me vazhdimin e luftës së armatosur e deri me çlirimin e vendit. Universiteti justifikoi ekzistencën, kryejti provimin, mori notën 10.
Kur nuk patëm Universitet
Në 20 vite të pasluftës nuk patëm Universitet ani pse mësimet po i zhvillonim të lirë në godinat universitare dhe pa represion policor. Për ironi tash i kishim të gjitha fiziket, por na mungonte Ideja.
Ajo ishte mbërthyer keqas në një luftë të ashpër ndërmjet partive politike nën një parullë përbashkuese: kush mund të kap më shumë profesorë që më pas të mund ta përkthejë në marrje të pushtetit. Pushtetin e pasurimit dhe të mirëqenies së vet. Kështu, Universiteti u kthye në vend-betejë barbare ndërmjet partive politike. Për gati dy dekada kreu një funksion të vetëm, funksionin e një kantieri të të papunëve të rinj, kantier ky i prodhimit të injorancës masive.
Kjo injorancë garantoi paqen sociale e rrjedhimisht kolltukët e pushtetarëve. Ky skenar nuk do të mund të realizohej pa ndihmën e studentëve. Po flasim për ata e ato studentë të organizuar në organizata studentore, krijesa të partive e klaneve politike. Synimi i tyre parësor ishte sigurimi i paqes së brendshme. Pavarësisht gjithçkaje që mund të ndodhte në Universitet dhe jashtë tij, ato do të rrinin të heshtura. E kur të plaste ndonjë revoltë autentike e studentëve do të tentonin ta shuanin atë bashkë me drejtuesit e universitetit. Organizimet studentore u kthyen në inkubatorë krimi të politikanëve që nesër do të zinin pozicione të rëndësishme publike. Koha e kaluar në organizata studentore ishte praktika dhe puna provuese për t’u dëshmuar te etërit e tyre politik se kishin aftësi në krim dhe korrupsion. Të vidhnin për pano, ekskursione, organizime të shëmtuara të absolventiadave e masteriadave, të blinin e të shisnin nota, të ndikonin në pranimin e studentëve.
Kështu, jeta studentore dhe angazhimi studentor ishte i zbehtë. Me ndonjë përjashtim të vogël, studentët nuk arritën të organizoheshin formalisht ose jo formalisht për së mbari. Fitoret ishin kryesisht të vogla e simbolike. Shkarkimi i rektorit Gashi mund të merret si një prej betejave ku organizatat studentore progresive bashkë me shoqërinë civile, mediet dhe shoqërinë në përgjithësi, arritën të shënonin një fitore të rëndësishme në luftën për cilësi dhe integritet akademik. Megjithatë, kjo betejë e fituar nuk u pasua me angazhim të mëtutjeshëm, ndaj, sikur i humbi rëndësia edhe kësaj fitoreje. Korrupsioni akademik vazhdon të jetë në përmasa të mëdha kurse cilësia në rënie.
Kur do të kemi Universitet?
Se çfarë universiteti duam nuk është pyetje që mund t’i përgjigjemi me një fjali a me një shkrim. As kjo tentativë nuk synon një gjë të tillë. Ne synojmë këtu të shtrojmë edhe njëherë për diskutim pyetjen e vjetër “Cila është ideja e Universitetit”. Ato që thuhen janë disa prej atyre që tashmë janë të dëshmuara e të përligjura si të vërteta historikisht, janë ato që ne i besojmë.
Do të kemi universitet kur ai të jetë i lirë, kur nuk do të reduktohet e as të kufizohet në godina. Kur të mos i jetë zënë fryma nga interesat ditore të politikës.
Do të kemi universitet kur për të nuk paguhet, se arsimi është një e drejtë e assesi privilegj për ata që kanë.
Do të kemi universitet kur ai t’i shërbejë shkencës, dijës dhe shoqërisë.
Do të kemi universitet kur studentë, profesorë dhe shoqëri të bëhen përsëri bashkë. Kur bashkërisht të deklarohen se universiteti u takon atyre dhe se nuk do të lejojnë të zhvatet dhe të ndahet si plaçkë lufte.
Është koha për një aleancë të re, të shoqërisë me universitetin, sepse ata mund të ekzistojnë vetëm në saje të njëri tjetrit.