Vëmendje! Universitetet në Kosovë gjejnë ilaçin natyral kundër pagjumësisë!
Njëri ndër problemet kryesore të Farmakologjisë moderne është zbulimi i një bari që trajton insomninë (pagjumësinë), por pa shkaktuar efekte anësore. Për dekada me radhë shkencëtarët kanë hulumtuar dhe nuk kanë arritur në një rezultat ideal.
Deri sot!
Universitetet në Kosovë janë duke përdorur një metodë (në dukje klasike, por mjaft efikase) që t’i vendosin studentët e tyre në gjumë për 30 sekonda. Dhe jo, nuk ka të bëj me substanca kimike apo preparate farmakologjike, është një metodë krejt natyrale me efiçiencë maksimale. Mjafton që të shkoni në ligjërata dhe do ta përjetoni edhe vet. Është sikur me magji! Ambienti i errë që krijohet; për tu parë projektori më mirë, zëri radiofonik dhe me frekuencë të njëjtë i profesorit, sllajdet e mbushura me shumë tekst dhe pa fotografi, janë indikatorët kryesorë terapeutik. Për t’u treguar sa më korrekt në këtë që po e them, unë kam realizuar një intervistë me D.D, studente në Universitetin e Prishtinës, ku i kam kërkuar t’i rrëfej përjetimet e saj;
Pyetja: Sa orë gjumë i bëni zakonisht në amfiteatër?
Përgjigjja: Hm, paj, varet prej landës, p.sh. kaniherë kur një ligjëratë po zgjatë ma shumë se 2-3 orë, besoj që flej kogja mirë, prandaj edhe po muj krejt natën me nejt me msu, se orarin e gjumit p’e kom gjatë ligjeratave.
Pyetja: A ke provu ndonjëherë me sfidu veten me nejt pa flejt gjatë ligjeratave?
Përgjigjja: Mision i pamundun! Qaq e ka frekuencën e njëjtë të zërit profesori, saqë t’doket sikur ninullë me t’knu. E kom provu me pi kafe para ligjëratave, pije energjike, me dal për vrap, me bo joga, me nejt pa frymë 40 sekonda, kurgjo nuk më ka kry punë, si t’shkoj n’ligjeratë, abracadabra, n’gjumë.
Pyetja: A ka ndodhë me t’bërtitë profesori najher nëse t’ka pa tu flejt, ose eventualisht ndonjë problem tjetër që mundet me ndodhë?
Përgjigjja: Jo, qfarti! Qefi i tyne osht me flejt na, që mos me ju bo zhurmë masnej, knaqet tu i spjegu veç vetes, e sa për problem të tjera, najherë naj kolegë mundet me pa naj andërr t’keqe, najherë me gërhatë dikush, po qaq!
Shoqja në fjalë kategorikisht mohon faktin që gjumi i saj në ligjërata mund t’i ndikoj keq në mësimnxënie, pasi që sipas saj, edhe nëse do të qëndronte zgjuar nuk do të mësonte asgjë më shumë pos tekstit që gjendet në librat e sugjeruara për provime. Copy-paste!
Ne i urojmë universiteteve kosovare suksese për këtë zbulim epokal, shpresojmë që zbulimet e tjera të jenë të këtij rangu! Qysh kish me thanë dikush: hajde me gjallë, ma gjallë!
Nga: Lirim Isufi, student i Universitetit të Prishtinës