op-ed

A ka tempull dija?
01/08/2018

A ka tempull dija?

Sa herë keni mundur të dëgjoni ndonjë fjalim të ndonjë politikani në universitete publike apo në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është e pamundur të mos e keni dëgjuar edhe togfjalëshin “tempulli i dijes”. Tamam ashtu siç është edhe slogani i këtij numri të parë, fjala e urtë e presidentit çlirimtar, vizionar, që nga lëvizjet ilegale, te lufta, te paslufta, te pavarësia, i cili na udhëhoqi me devocion të lartë dhe ndershmëri të paparë, e që do të na çojë në NATO e në BE. Nuk e di sa ju kujtohet që kur përfunduan punimet në ndërtesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitin 2010, në hyrje të saj u vu pllaka e gravuar me shkronja të arta që mbante atë fjalën e urtë të shkëlqesisë së tij, presidentit Hashim Thaçi: “Tempujt e dijes dhe të shkencës janë rreze drite për kombin dhe njerëzimin”. Pllaka u hoq kur u pa se ishte tepruar me lëpirje të fundshpinës së presidentit, por ajo që u mor vesh e që nuk na u hoq nga mendja, ishte raporti pervers i tempujve të dijes me pushtetin, dhe jo vetëm në Kosovë, por në botën mbarë.

Por a ka në të vërtetë tempull dija?
Dija përfundimisht nuk ka tempull, asaj nuk i duhen tempujt. Dija nuk mund të jetë e dhënë, e fiksuar ashtu që të mund të adhurohet në një tempull. Dija është proces zbërthimi i atyre që nuk dihen, në pakufi, përmes shkencës, artit e filozofisë. Dija mund të synohet, por asesi të adhurohet, aq më pak në një tempull.

Po pse thonë “tempull i dijes” ata? A nuk e dijnë ata këtë që dimë ne? Në fakt, kjo është një rrymë mendimi mbi atë se çka është dija. Dija sipas tyre do të vijë nga një autoritet i adhurueshëm, nga një tempull ku legjitimiteti është mistik. Por në shekullin 21 këto gjëra kanë përfunduar. Sot dija mundohet të çlirohet nga autoriteti ani pse ajo gjithnjë ka një raport vartësie me pushtetin në kuptimin fukoltian të fjalës. Dija sot merr një karakter subversiv ndaj pushtetit në ndërkohë që shpesh i shërben atij.

Kësisoj edhe përpjekja jonë është një akt subversioni që përmes po të njejtit titull “Tempulli i Dijes”, sulmon atë që shfaqet para nesh si e shenjtë, e adhurueshme, e moralshme, ndërkohë që është profane, e përbuzshme dhe e pandershme.

Synimi jonë është që ta sjellim në tokë atë që është ngritur në qiell, që ta shohin të gjithë dhe të mund ta vlerësojnë nëse vërtetë është ashtu siç hiqet. Ne e dijmë se nuk është.

Prandaj Tempulli i Dijes vjen si një mjet me të cilin atë dije të cilën e kemi grumbulluar deri tash për gjithë stafin akademik, për menaxhmentin dhe një pjesë të studentëve të tij ta shfaqim para krejt atyre që e bëjnë të mundshëm Universitetin studentëve, prindërve të tyre dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

ORCA synon që me Tempullin e Dijes, përmes satirës, ta ushtrojë kritikën e vet tashmë të artikuluar në shumë ngjarje të organizuara publike ku u paraqitën raporte me të dhëna shqetësuese, por të cilat shumë pak ranë e mbetën në veshin e publikut. Jo pse nuk ishin të rëndësishme, por se njerëzit në Kosovë janë lodhur me raportet dhe se gjuha e përdorur në raporte e në publikime të OJQ-ve ashiqare synon një klasë njerëzish të përgatitur nga aspekti arsimor e intelektual.

Por ORCA, si një organizatë që synon shtrirje masive te të rinjtë nuk do që gjuha e publikimeve të saj të jetë përjashtuese, në anën tjetër, për t’i bindur institucionet kombëtare e ndërkombëtare që kanë fuqi vendimmarrëse, gjuha duhet të jetë e zgjedhur. Prandaj përmes Tempullit të Dijes ne synojmë të mbërrijmë te secili. Dikush mund të na kritikojë për rehabilitim të gjendjes së mjerimit duke e kthyer në shaka atë. Mirëpo Tempulli i Dijes nuk do t’i zëvendësojë publikimet me bazë hulumtimi, as avokimin dhe angazhimin publik të aktivistëve të ORCA-s, Tempulli i Dijes thjesht do t’i artikulojë me një gjuhë gjithpërfshirëse kritike e satirike ato që ne dijmë, synojmë dhe bëjmë në përditshmërinë tonë.

E kur jemi te gjuha, ky është editoriali i vetëm i shkruar në emër të ORCA-s që do të mund ta lexoni në gjuhën standarde pasi të gjitha shënimet e tjera të redaksisë do të jenë në stil të lirë dialekti, të përafërta me të folmen mesatare të një kosovari/ eje. Nuk po e përdori standardin për të tingëlluar më mençur (siç mund të mendohet), por për të treguar se refuzimi i standardit nuk bëhet në pamundësi të zotërimit të tij, ama si refuzim i një autoriteti që pamundëson artikulimin e mendimit të një kosovari/eje mesatar/e që është shërbyer gjithë jetës së vet me një sistem mjeran të arsimit. As që ushqej ndonjëfar ndjenje negative ndaj standardit në vete, apo toskërishtes si dialekti dominant në të, përkundrazi më inspirojnë format e bukura të saj. Vjen si shembull, gjuha e stili i jashtëzakonshëm i Jakov Xoxës mbeten moment inspirimi e edukimi gjuhësor për mua si autor i këtyre rreshtave dhe gjeneratatpara e pas meje që kanë ndjekur arsimin në shqip, por synimi i Tempullit të Dijes është komunikimi masiv, jo i zgjedhur.

Një aspekt tepër i rëndësishëm i një mjeti të komunikimit masiv është estetika. Tek po mundoheshim ta identifikonim bashkëpunëtorin estetik të Tempullit të Dijes (është fjala për një dizajner, por e keni parasysh punën e titujve :-P), na thanë se Kryetari Legjendar Visar Arifaj është “baba” i këtij lloji të dizajnit. Ne në ORCA besojmë se “s’ka babë, ka ide”, por megjithatë iu drejtuam këtij lloj “babe” me ofertën që ta pranojë atësinë estetike të kësaj krijese, ani pse nuk patëm mundësinë t’i ofronim shuma që do ta bindnin me siguri. Siç thoshte grupi Skillz këtu e njëherë (ktynejher), “Çka s’blehet me pare, blehet me ma shumë pare”, ky nuk qe rasti ynë. E megjithatë Visari e pranoi atësinë estetike të Tempullit të Dijes dhe iu bashkua ekipit vullnetar të stafit të ORCA-s që e bënë të mundshëm këtë numër. Me këtë ekip plot vullnet, jam i sigurt se Tempulli i Dijes do të jetë fanar i lirisë dhe i demokracisë, ashtu siç është përmendur nga etërit e kombit tonë të lavdishëm.

Dhe për fund, s’mund të mos e mbyllim këtë editorial të parë ndryshe veçse me lutjen e Faik Konicës:
“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!”