op-ed

Dekadenca
01/03/2019

Dekadenca

Rron Gjinovci

TD #4

Osss! Këtë numër vendosëm me ia kushtu emërusit të përbashkët të gati tana ndodhive e prodhimeve të shekullit tonë. Si në politikë, muzikë e në art pamor, në përpjekje për me u shkëputë prej të vjetrës e prej krizës së vlerave që e ka kap botën mbarë, njerëzimi ka rrëshkitë në nji periudhë dekadente. Sot, president i ShBA-ve mundet me u ba nji njeri i padijshëm e rrenc, çka kemi mendu se është karakteristikë veç e jona si qytetnim i moçëm iliro-pellazg.

Sot, piktura me dy-tri ngjyra shitet me miliona kishe aty ka vlera që shumica e njerëzve nuk i kuptojnë. Sot, muzika konsiston kryesisht në klipe videosh që japin nji mesazh komercial simbas nevojave të sistemit në të cilin jetojmë. Jetojmë në kohën kur gjithçka “e bukur”, “e mirë”, është e tillë veç mbasi të jetë konvertu në pare, në shumë pare.

Ky lloj ideologjizimi ektremist i kulturës, politikës dhe jetës së përditshme në përgjithësi, ku gjithçka është ose pare (numër) ose e pavlerë, nuk ka lanë pa e prekë edhe akademinë. Dikur universitetet ishin diqysh ma jashta sistemit, për aq sa është e mundun me kenë jashta asaj pjesë e së cilës je, kur është fjala për misionin e tyne. Bile edhe nga vet emni universitet (univers, universal) shihet që qëllimi ishte i nji dije universale, jodomosdoshmënisht e kontekstualizume në hapsinë e kohë, pra idea e universiteteve ish ato me kenë projektus të së ardhmes së nji shoqnie apo shoqnisë njerzore. Sot, prej universitetit pritet me kenë në shërbim të tregut të punës. Nga institucione shkencore, ato dita ditës po shndërrohen në kurse trajnimi për punëtorët që do të punojnë në korporata e kompanira të ndryshme që synojnë profitin. Nga nji vatër e prodhimit të së ardhmes prosperuse, në instrument të privatit për prodhim veglash pune.

Në vendin tonë universiteti përveç që prodhon mungesë aftësie masive, ai punëson në veten e vet nji armatë të njerëzve të patalentum e të padijshëm të cilët janë vendosë në pozitën e profesorit. Nga nji universitet që dikur prodhonte “kuadra” siç u thoshin me respekt të lartë, sot është shndërru në nji fabrikë prodhimi të të papunëve me diploma, me diploma që nuk justifikojnë ndoj aftësi të fitume.

Kjo është dekadence, nga latinishtja decadere, ku “de” do me thanë “ndamje”, “shkputje”, “poshtë”, ndërsa “cadere” që do me thanë “me ra”. Pra ramje poshtë, si qysh thotë populli jonë “poshtë ka ra katuni”. Përmbledhtas katuni dekadent.

Pa dashtë me u zgjatë e me mbajtë fjalime, po e përmbyllim këtë editorial si nji hyrje në Tempullin e Dijes numër 4, ku dekadenca paraqitet si dukuni në politikë, në profesoriatin e arsimit të naltë ashtu edhe në estradën muzikore. Dhe jorastësisht në këto tri grupe të krahasume e krahasushme me njana-tjetrën, si pishtar të periudhës dekadente.

Le të jetë ky numër nji dëshmi atëherë kur dekadenca ka korrë fitore dhe është ba standard i padiskutueshëm, le të dihet që dikur në mars të vitit 2019, diku në Kosovë, është denoncu dekadenca në kohën kur ajo pat çu kry ma s’shumti. Osss!