E kritikojmë sepse shpresojmë në të
ORCA zhvilloi takimin e parë zyrtar e formal me rektorin e institucionit më të madh e më cilësor në Kosovë, Universitetin e Prishtinës. Kjo vizitë nuk ishte rastësore. Nuk ishtenjë vizitë kurtuazie me rastin e zgjedhjes së një rektori të ri, por një vizitë e qëllimshme, me mesazh të qartë e të fortë të përkrahjes për vazhdimin e reformave të premtuara në UP.
Takimi u bë i mundshëm sepse rektori aktual është rektori i parë i zgjedhur pa asnjë kontestim publik të zgjedhjes së tij. Është rektori i parë pas një kohe të gjatë i cili përmbush vet kushtet për titullin që mban sipas numrit të publikimeve shkencore. Është rektori i parë që në ekipin e tij të prorektorëve ka 3 gra, gjë që na bënë shpresëmirë për adresimin e çështjes së barazisë gjinore dhe parandalimit të ngacmimeve në universitetin tonë. Ndërkaq, në gjetjet e fundit të hulumtimit tonë Universiteti i Prishtinës është edhe institucioni më transparent i arsimit të lartë në vend, një meritë kjo e menaxhmentit të kaluar por e cila duhet të avancohet nga rektori aktual dhe ekipi i tij. Këto isharete të para pozitive, na bënë neve që me kënaqësi të kërkojmë vizitën tonë të parë zyrtare për ta takuar rektorin dhe ekipin e tij të prorektorëve të cilët përmbushin poashtu kriteret formale të numrit të publikimeve shkencore për të justifikuar titujt akademikë që kanë.
Takimin e zhvilluam në një atmosferë të mirë të korrektësisë e profesionalizmit duke i rikujtuar njëri tjetrit detyrimet që kemi ndaj publikut dhe qëllimit tonë të përbashkët: për avancimin e mëtutjeshëm të cilësisë në arsimin e lartë.
Siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, do të mund të ndodhë edhe në të ardhmen, që mospajtime për çështje të ndryshme mes nesh të ketë, por ne mbesim të zotuar që do të ruajmë gjithmonë korrektësinë dhe profesionalizmin për të adresuar së bashku te njëri tjetri çkado që ne e konsiderojmë interes të universitetit e si rrjedhim interes të qytetarëve të vendit. Në këtë frymë ne u dakorduam që: ORCA do ta promovojë kurdoherë çdo arritje pozitive të universitetit, sikundër që do të adresojë publikisht kritikat e saj për dukuritë negative të tij përmes hulumtimeve dhe aktiviteteve të tjera të saj; ORCA do të ofrojë kapacitetet e veta profesionale e financiare në marrjen e ekspertizave të jashtme për të adresuar çështjet që lidhen me integritetin akademik apo aspekte tjera që lidhen me cilësinë e mësimit në UP; ORCA do të vazhdojë monitorimin në sa më shumë organe universitare për t’u siguruar që proceset akademike do të ruajnë standardin e tanishëm apo edhe ta avancojnë atë; Universiteti i Prishtinës do të jetë bashkëpunues në rritjen e mëtutjeshme të transparencës për publikun kosovar duke vazhduar komunikimin e mirë me OJQ-të dhe mediet me qëllim të rritjes së llogaridhënies ndaj publikut; Universiteti i Prishtinës do të konsultojë pa detyrime kontraktuale të gjithë hisedarët me qëllim gjithpërfshirjen e publikut në proceset e veta si universiteti më i madh publik në vend; ORCA dhe Universiteti i Prishtinës do të angazhohen për të promovuar praktikat më të mira të proceseve akademike që lidhen me titujt akademikë dhe jepjen e mundësive për përfshirje në hulumtime dhe publikime shkencore për gjithë stafin akademik, përmes mekanizmave tashmë ekzistent si dhe kyçjes së Kosovës në mekanizma të rinj.
Universiteti i Prishtinës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shoqërinë tonë. Zhvillimi i identitetit tonë shoqëror është historia e zhvillimit të Universitetit. Avancimi i shoqërisë sonë deri sot, s’ka qenë asgjë tjetër veçse avancimi i Universitetit të Prishtinës prej themelimit të tij. S’ka si të jetë ndryshe as në të ardhmen. Se si do të jetë shoqëria jonë në 20, 30, 40, 50 vitet e ardhshme, varet se si është gjendja e Universitetit tonë sot, sepse 90% e të gjitha profesioneve që ushtrohen sot në Kosovë dalin nga Universiteti i Prishtinës. Prandaj ne të gjithë duhet të angazhohemi që universiteti të avancohet akademikisht, të jetë më transparent e më llogaridhënës, me buxhet shumë më të madh e shumë më i çmuar nga politika e shoqëria, sepse dalja nga kriza, ekonomike, politike e shoqërore kalon vetëm nëpër një derë, nëpër derën e universitetit. Ashtu qoftë!
Rron Gjinovci