op-ed

LUFTA KUNDËR PLAGJIATURËS, KRIM DHE DASHNI
28/03/2023

LUFTA KUNDËR PLAGJIATURËS, KRIM DHE DASHNI

Krimi i përbashkët është lidhja më e fortë mes dy njerëzve. Dikush thotë: jo, është dashnia. Unë kisha me argumentu pse krimi është më i fortë se dashnia kur vjen fjala te lidhja mes dy individëve. Për me u lidhë në dashni duhen me u plotësu shumë kushte, me u përshtat ideo-politikisht me njani tjetrin, me u tërheq fizikisht mes vete, me pasë njifarë “kimije” si i thonë, e fjala është për atë pjesën e pashpjegushme që i bënë dy veta me nejt me njani tjetrin e qe besa edhe me u dashtë me njani tjetrin. Dhe kjo nodhë rrallë. Është shumë komplekse me u arritë plotësimi i të gjitha kushteve që dy veta me e pasë një lidhje të tillë dashurore. Për krim, nuk të duhen gjithë këto përputhje, gjithçka është ma e thjeshtë. Duhet veç me pasë interes të përbashkët material, kryesisht.

Shihni për shembull plagjiaturën e Ardian Kastratit, deputet i PDK-së dhe Bujar Dugollit përkrahës i VV-së. Nji njeri normal çuditet: si ka mundësi që këta dy, profesorë të të njëjtit fakultet, kaq të ndamë në mendimin e tyne politik, kanë bashkëpunu për me ba nji punim së bashku? Dhe këtu hyn interesi i përbashkët. Interesi i përbashkët për me kontrollu Universitetin e Prishtinës i lidhë në bashkëpunim, e paaftësia për me arritë këtë përmes ushtrimit të mjeteve demokratike, pra për me u zgjedhë në pozita drejtuse përmes formave të parapame demokratike, i çon drejt krimit të përbashkët, plagjiaturës. Dhe krimi i ka lidhë ma fortë se që dashnia kish me i lidhë dy njerëz. Ama kur erdh koha e u zbulum plagjiaturën, Bujar Dugolli në nji paraqitje morbide në Senat ku ashiqare e pranojke nji faj tjetër, pra që nuk kishte pasë dijeni për përmbajtjen e punimit ku ishte autor, thoshte se nuk e kishte ditë që Ardian Kastrati ka ba plagjiaturë. Lidhja u prish, ndoshta u kthy edhe në urrejtje. Kështu ndodh edhe me lidhjet e dashnisë. Shpesh ata që duhen prishen e urrehen mandej. Por, ekziston nji lloj dashnie që nuk prishet kurrë dhe që ngadhënjen gjithmonë. Është dashnia jomateriale, dashni e pakushte që i drejtohet njerëzimit mbarë, e kjo ndodh kur dikush i qet vetes nji qëllim që nuk është interes i tij personalisht, por i njerëzimit mbarë. Këtu humbë krimi përballë dashnisë, vetëm në këtë rast, në të gjitha të tjerat krimi është lidhje ma e fortë se dashnia.

Shihni në skenën politike, si gazetarë e politikanë të caktum janë të lidhun mes vete dhe kur flitet në shoqninë tonë për veting në drejtësi, për konfiskim të pasuninë së paligjshme e tema të ngjashme që afirmojnë drejtësinë e barazinë në venin tonë, këta krejt bahen bashkë, pavarësisht diferencave edhe shumë të mëdha që mund t’i kenë mes veti. Pse? Sepse mes tyne qëndron krimi i përbashkët. Ky editorial i kësaj gazete kushtu’ plagjiaturës nuk ka qëllim me folë për politikën, por është e pamundun me folë për plagjiaturën në Kosovë pa folë edhe për politikën. Është politika ajo që e ka mundësu dhe po e mundëson në vazhdimësi plagjiaturën. Ishte politika që e mbushi Universitetin e Prishtinës me banditë që u shndërrun në profesora dhe është politika që duke kalkulu se mundet me hupë përkrahje, e qe besa edhe duke mendu me i vnu njerëzit e vet në krye, nuk merr sot masa radikale për me e ndryshu gjendjen.

Na e pamë qysh u shkarku rektori Naser Sahiti. Kjo ndodhi nji ditë mbasi ai vet e denoncoi për plagjiaturë anëtarin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës. U bënë bashkë 4 anëtarët e Këshillit Drejtues të emërum nga Ministrja, me 5 të emërum nga Senati. Nga 5 të Sentatit ishte edhe Selim Bezeraj i cili në Senat kishte marrë një shumicë dërrmuese votash, 25 sosh, ndërkohë që dihet publikisht se i njejti e ka doktoratën e mbrojtun në Universitetin e Tiranës, plagjiaturë nga nji temë Masteri e mbrojtun në Vjenë nga studenti Adam Christian. Çfarë ironie! Selim Bezeraj, plagjiator, i denoncum nji ditë përpara nga rektori po për plagjiaturë, votoi për shkarkimin e rektorit dhe rektori u shkarku.

Na reagum siç bëjmë zakonisht, ia qitëm krejt të palamet Këshillit Drejtues dhe për dy javë në mediat e Kosovës plagjiatura u bë diskutim nacional, ndërkohë që Universiteti i Prishtinës është zhytë në një situatë kaosi. Edhe njëherë politika kallxoi që është e paaftë me u marrë me Universitetin si duhet. Edhe njiherë politika me paaftësinë dhe dashakeqësinë e saj shkaktoi kaos në stabilitetin e krijum në 3-4 vjetët e fundit, thjesht dhe vetëm për me vendosë njerëz të vet në krye të institucionit. Edhe njëherë lidhja e atyne që u lidhën përmes krimit (plagjiaturës) ngadhënjeu mbi lidhjen tonë me universitetin që është e bazume në dashni e ideale për nji shoqni ma të mirë.

Veç nji gja është shpresëdhanëse: qëllimet tona nuk janë të bazume mbi interesa materialë, as interesa personal, qëllimet tona vijnë nga dashnia për njerëzimin mbarë, nga dashnia për idenë e barazisë, lirisë, për idenë e nji shoqnie që është e barabartë e e lirë në saje të dijes, të cilën e mundëson arsimi dhe vetëm arsimi. Dashnia jonë për këtë ide do ta mundë lidhjen e tyne kriminale, vetëm i duhet edhe pak kohë.