T’ia mbyllim perdet teatrit
Ky numër i gazetës së parë studentore botohet si nevojë e pashmangshme e futjes së vetëdijes kritike në diapazonin e gjerë problemor në Universitetin e Prishtinës. E gjitha kjo në saje të terrenit burimor të kësaj gazete, që janë: studentët e këtij Universiteti.
Numri i parë ka për qëllim trajtesën e problemeve në UP nga perspektiva e gjinive letrare: kritikë & satirë, kjo për një dhe të vetmin qëllim, që mprehtësia kritike e satirike e syrit të studentëve, ti vë në pah dukuritë negative në UP, me ç’rast këto dukuri do të injektonin doza ndërgjegjësimi tek secili lexues.
Tempulli i Dijes është organ i ORCA-s i menduar shumë kohë më parë, por që po bëhet i mundshëm në këta 3 numra të parë në kuadër të aktiviteteve të projektit “Rritja e transparencës dhe integritetit akademik në Universitetin e Prishtinës”. të mundësuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Meqenëse projekti në fjalë parashihte mbajtjen e disa workshope-ve në secilën prej njësive akademike dhe meqë disa prej këtyre workshope-ve janë realizuar tashmë, mund të them se kemi mostër të konsiderueshme sa i përket opinionit të përgjithshëm të studentëve rreth Integritetit Akademik dhe gjendjes në UP në përgjithësi.
Studentët në të shumtën e rasteve nuk e kanë pasur të qartë se çka nënkupton Integriteti Akademik si nocion. Kjo tregon indikacion të rëndësishëm në atë se sa Universiteti i Prishtinës ofron informacione për çështjet akademike, e nga kjo nënkuptohet se sa në të vërtetë është i mundur terreni kritik në Universitetin e Prishtinës.
Si institucioni ndrydh kritikat? Duke i mbuluar mendjet me “vellon e injorancës”. Gjithnjë, pasur parasysh ndonjë që arrin ta shqyej këtë vello.
Megjithatë, nuk mund të themi se mungon niveli i vetëkritikës te masa më e madhe e studentëve. Ata kanë reflektuar mbi pozicionon e tyre etiko-moral në lidhje me përfshirjen e tyre ose kolegëve të tyre në dukuritë negative që e cenojnë Integritetin Akademik.
Studentët janë pajtuar që në përgjithësi masa studentore qëndron e heshtur dhe nuk reagon ndaj shumë dukurive të cilat i vëren gjatë studimeve. Gjithashtu, janë të pajtimit që studentët duhet të fillojnë që nga ngritja individuale e vetëdijes.
Ata kanë treguar gatishmëri në themelimin e Klubeve të Etikës nëpër të gjitha njësitë përkatëse, gjë që do të mundësonte që studentët të kenë një mundësi më të madhe informimi por edhe një adresë të pavarur e një mbështetje për t’i paraqitur problemet dhe përvojat e tyre të cenimit të transparencës dhe integritetit akademik.
Ne në ORCA besojmë se ngritja e nivelit të vetëdijes kritike në UP do i kontribuonte restaurimit të këtij “Tempulli të Dijes” (në pastë një të tillë) në të kundërtën ai do të rrënohet.
Ngase, cenimi i Integritetit Akademik në Universitetin e Prishtinës po i gërryen shtyllat e këtij “tempulli” në baza ditore. Është përgjegjësi e imja si udhëheqës i këtij projekti të vogël por domethënës, që të sigurohem se sa më shumë studentë do të marrin vesh për këtë gjë, aq më tepër tani që në ndihmë na vjen Tempulli i Dijes si gazetë kritike & satirike, qoftë për ta denoncuar korrupsionin akademik, qoftë për ta informuar palën më të interesuar – studentët, apo edhe taksapaguesit e tjerë për atë se çka ndodhë në Universitetin e Prishtinës, institucionin më të madh e më të rëndësishëm të arsimit të lartë në vendin tonë.
Në dramën e antike Greke, shfaqjet teatrale përveç që zgjasnin me orë e ditë të tëra, ato shpesh përballeshin me situata të pazgjidhshme, duke mos i dhënë epilog përfundimtar vetë shfaqjes.
Mirëpo, Grekët kishin menduar një zgjidhje alternative të kohës, kjo zgjidhje quhej “Deus ex machina” (shqip: “zot nga makina”). “Deus ex machina” qe një paisje mekanike e cila mbante trupën tjetër teatrale, që luanin rolin e “perëndisë” në skenë, rrjedhimisht ata i jepnin epilog përfundimtarë gjithë shfaqjes.
Ftoj gjithë “trupën teatrale” të shoqërisë sonë të përfshihet në zgjidhjen e problemeve që mund të duken të “pazgjidhshme” në shikim të parë, por që nuk janë të tilla.
Teatrot tona në përditshmëri krijojnë probleme, kështu që, atëherë dhe vetëm atëherë kur ne ta kuptojmë se “Deus ex machina” është zgjidhje fiktive e problemeve, vetëm atëherë kemi bërë një hap drejt zgjidhjes së këtyre problemeve.
Dibran Hoxha